Reagon diplomati Zingraf: Vendimet merren nga institucionet shqiptare
Presidenti Ilir Meta publikoi dje në emisionin Opinion një mesazh të dërguar në What’s App, sipas tij nga një diplomat i huaj, për diskutimet për Reformën në Drejtësi dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në mesazhin diplomatit thuhet se Rama nuk do ta bllokojë kandidaturën e Marsida Xhaferllarit në listën tjetër për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ç’ka për Presidentin Meta tregonte qartë ndikimin e kryeministrit në reformën në drejtësi. Meta akuzoi diplomatët e BE dhe Amerikës për ndërhyrjet në Reformën në Drejtësi, dhe në mesazhet e publikuara ishte kujdesur të fshihte emrin e Ambasadës Gjermane.
Për këtë, A2 CNN i është drejtuar për një reagim Ambasadës Gjermane. Sipas zyrës në Tiranë, Gjermania mbështet reformat e ndërmarra në Shqipëri dhe rrugën e saj drejt BE, ndërsa thekson se vendimet i takojnë institucioneve vendase.
“Gjermania mbështet reformat e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Reforma në drejtësi është një element qendror për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe të pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë. Në mbështetjen tonë bën pjesë sigurisht dhe një shkëmbim i rregullt me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Vendimet për zbatimin e agjendës së reformave merren në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm nga institucionet përgjegjëse shqiptare, një pjesë e së cilave është krijuar pikërisht në kuadër të reformës në drejtësi”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




