Reagon Serbia pasi Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Kosovës në KiE : Ditë e turpshme! Do vazhdojmë luftën tonë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka reaguar ndaj vendimit të Asamblesë Parlamentare të  Këshillit të Evropës, e cila i hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Daçiç thotë se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.

Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) citoi Daçiçin, i cili ka thënë se “Serbia do ta vazhdojë luftën e saj me të gjitha forcat në mënyrë që vendimi të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj”.

“Ne do ta shohim vlerën e fjalës që bashkësia ndërkombëtare ia dha presidentit Aleksandar Vuçiç, se Kosova nuk do të pranohej në Këshillin e Evropës derisa ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të jetë gënjeshtër përsëri”, tha Daçiç.

Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.

Publikuar nga Publik Media