Refuzim zinxhir ndaj qeverisë, bashkitë ngrihen kundër shkrirjes
Këlcyrë refuzon bashkimin me Përmetin, Klos kundër Matit, Fushë-Arrëzi ngrihet ndaj Pukës dhe Divjaka vijon protestat kundër Lushnjës
Këshilli Bashkiak i Këlcyrës ka rrëzuar në mënyrë unanime draftin e propozuar nga qeveria për reformën administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Përmetit.
Në mbledhjen e zhvilluar, morën pjesë të 15 anëtarët e këshillit, të cilët votuan njëzëri kundër këtij propozimi, duke e konsideruar të papranueshëm argumentimin e paraqitur në draftin qeveritar. Gjatë diskutimeve, u theksua qartë se një bashkim i tillë nuk përputhet me interesat e komunitetit lokal.
Po ashtu, në mbledhjen e jashtëzakonshme, këshilltarët, pavarësisht përkatësisë politike, i bënë thirrje edhe Këshillit Bashkiak të Përmetit që të mos miratojë draftin, duke nënvizuar se mungon dakordësia mes palëve për një bashkim të tillë administrativ.
Ndërkohë, kundërshtimet ndaj reformës territoriale nuk janë të izoluara. Në Klos, këshilltarët bashkiakë janë shprehur gjithashtu unanimisht kundër bashkimit me Bashkinë Mat, duke paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të bllokuar vendimin, përfshirë edhe organizimin e protestave.
Reagime të forta janë shfaqur edhe në veri të vendit, ku kryepleqtë e nëntë fshatrave të Fushë-Arrëzit u mblodhën pranë Kishës së Fierzës për të kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Pukës. Ata paralajmëruan pjesëmarrje në protestën e njoftuar nga banorët, e cila pritet të zhvillohet në ditët në vijim.
Ndërkohë, në Divjakë, protestat vijojnë prej disa ditësh radhazi. Banorët kanë dalë sërish në kundërshtim të bashkimit me Bashkinë e Lushnjës, duke argumentuar se një riorganizim i tillë do të sillte vështirësi të mëdha në aksesin ndaj shërbimeve bazë.
Zhvillimet tregojnë një valë të gjerë kundërshtimesh në disa bashki të vendit, duke e kthyer reformën administrativo-territoriale në një nga çështjet më të debatueshme të momentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



