Revoltohet analisti Sejamini me deklaratat e ambasadorëve: Ata i konsiderojnë shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë

Nuk do t’i bënin kurrë ato në vendet perëndimore

Analisti Neritan Sejamini ka folur për deklaratat e ambasadave pas protestës së opozitës në Bashkinë e Tiranës, të cilat reaguan të koordinuara duke dënuar hedhjen e molotovëve dhe dhunën.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Sejamini tha se ambasadorët i bëjnë këto deklarata sepse i konsiderojnë shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë dhe se nuk do t’i bënin kurrë ato në vendet perëndimore.

Sejamini deklaroi se edhe reagimi i opozitës ndaj këtyre ambasadorëve, është mjaft i gabuar, pasi opozita duhet thjesht ti injorojë deklaratat.

Reagimi i ambasadorëve ndodh në një vend si Shqipëria. Nuk ndodh kurrë në një vend tjetër, në Francë përshembull. Është reagim sepse jemi vend i pazhvilluar me demokraci të pakonsoliduar. E dyta, deklarata e ambasadorëve, reflekton të vetmin shqetësim që kanë të huajt në Shqipëri, stabiliteti. Kur shohin se mund të ketë rrezik destabilizimi, ata reagojnë për t’i hedhur ujë zjarrit që në momentet e para.

Opozita ka bërë gabim, që i merr seriozisht këto deklarata dhe i përgjigjen këtyre deklaratave. Fillojnë reagojnë të gjithë në opozitë dhe merren me ambasadorët. Kjo tregon kompleks dhe papjekuri. Ambasadorët flasin, lëre të flasin dhe anashkaloje. Nuk ka ambasador në Shqipëri që të detyrojë shqiptarët se për kë të votojnë. Pra roli që ne i japim atyre nuk është kaq i madh. Srategjia më e mirë e opozitës është ti injorojë ata.

Këto deklarata nuk janë as produktive, të krijojnë idenë sikur jemi në vitin 90’. Ambasadorët po bëjnë hap që nuk i takon.

Rreziku më i madh që ka sot Shqipëria, është krimi dhe korrupsioni, jo protestat e opozitës. Krimi dhe korrupsioni që po kapin ekonominë, drejtësinë dhe po gërryejnë themelet e vendit, ambasadorët të flasin nga mëngjesi deri në darkë për krimin dhe korrupsionit. Ka një sërë ambasadorësh që vendet e tyre janë viktima të krimit shqiptar. Ata duhet të  ngrejnë në mënyrë të vazhdueshme korrupsionin dhe krimin, sepse indirekt është edhe rrezik për vendet e tyre.

Opozita në të gjithë qëndrimet e saj bën gafa të jashtëzakonshme. A do ta bënte ky ambasador këtë deklaratë në Londër dhe Paris? Nëse nuk do ta bënte në vendin e vetë, e bën sepse na mendon se jemi qytetarë të kategorisë së dytë. Në njëfarë mënyre këto deklarata të panevojshme për ngjarje të parëndësishme… Janë koordinuar për këtë, janë shqetësuar, më duke naive që mendojnë se duke u bërë 7 vetë, theksojnë rëndësisnë e tyre. Del italiani, francezi…

Këta ambasadorë duhet të flasin për ndihmën e vendeve të tyre, për administratën, luftën kundër korrupsionit, qindra milionë euro të europianëve që qeveria shqiptare i bën rrush e kumbulla. Merr investitorët italianë që janë përzënë nga Shqipëria. Shkëmbimet kulturore me Italiane janë në nivelin më të ulët. Për këto duhet të shqetësohen ambasadorët“, tha ndër të tjera Sejamini.

Publikuar nga Publik Media