E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rezulton se ka shumëfishuar pasurinë, gjyqtarja e Apelit Flutura Skënderi jep llogari para KPK-së për ‘flamujt e kuq’
Publik News

Rezulton se ka shumëfishuar pasurinë, gjyqtarja e Apelit Flutura Skënderi jep llogari para KPK-së për ‘flamujt e kuq’

Gjyqtarja Flutura Skënderi e Gjykatës së Apelit Tiranë po përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e saj të vetingut përbëhet nga Pamela Qirko, Valbona Sanxhaktari dhe Lulzim Hamitaj. Sipas të dhënave të publikuara nga Birn, rezulton se gjyqtarja ka probleme me pasurinë.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Flutura Skënderi deklaronte pasuri me vlerë 214 mijë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare është shumëfishuar në 25.6 milionë lekë.

Pasuritë e patundshme të familjes përbëjnë zërin kryesor të aseteve me vlerë 21.3 milionë lekë. Gjyqtarja Skënderi deklaron gjithashtu automjete me vlerë 2 milionë lekë, kursime në cash prej 1.5 milionë lekësh dhe likujditete bankare prej 726 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 50.6 milionë lekë, nga të cilat 36% burojnë nga paga e saj si gjyqtare dhe 48% nga pagat e familjarëve. Gjyqtarja e Apelit të Tiranës deklaron gjithashtu rreth 10% të të ardhurave si fitim nga shitja e pasurive të patundshme dhe 3% nga aktiviteti privat i bashkëshortit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Znj. Flutura Skënderi rezultoi pa probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” paqartësitë lidhur me një kontratë sipërmarrjeje.

Në vitin 2007, subjekti deklaron një kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin në një truall me sipërfaqe 225 m2, nga e cila përfiton sipërfaqe ndërtimi për një apartament 173m2. Megjithatë, deklarimi nuk sqaron detaje të tjera të kontratës që lidhen me përqindjen apo sipërfaqen e plotë të ndërtimit.

Në vitin 2015, Skënderi deklaron shtesë prej 5.7 milionë lekësh, që rrjedhin nga kompensimi i 100 m2 truall nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku subjekti zotëron 1.4 pjesë. Në deklarim nuk është e qartë se kush pjesë e truallit është kompensuar.

Në vitin 2017, subjekti deklaron një kontratë porosie të lidhur nga vajza e saj dhe bashkëjetuesi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 135.22 m2 dhe çmim prej rreth 88 mijë eurosh. Sipas deklarimit, deri në fund të vitit 2017 nuk është shlyer asnjë detyrim, pasi janë në pritje të aprovimit të kredisë bankare.

Ndërkaq, sot ajo është paraqitur vetë në seancën dëgjimore ku po jep llogari për pikëpyetjet rreth pasurisë. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i KPK për gjyqtaren e Apelit.

Flutura-Skenderi-skeda-e-pasurise.jpg

Flutura-Skenderi-skeda-e-pasurise_1.jpg

Flutura-Skenderi-skeda-e-pasurise_2.jpg

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.