Rihapet pas pesë muajsh regjimi “41 Biss” në Burgun e Peqinit
Pas një ndërprerjeje pesëmujore, regjimi i posaçëm i sigurisë “41 Biss” është rikthyer në funksion në burgun e Peqinit, me vendim të Ministrisë së Drejtësisë. Ky zhvillim shënon rivendosjen e një prej mekanizmave më të fortë të kontrollit ndaj të dënuarve që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe me ndikim të mundshëm në rrjete kriminale.
Sipas burimeve, i pari që është vendosur në këtë regjim të rreptë është Sabah Nuzi, i dyshuar si autor i ekzekutimit të 22-vjeçarit Klevis Lleshi, një ngjarje që tronditi opinionin publik rreth një vit më parë. Hetimet paraprake sugjerojnë se vrasja është kryer kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.
Nuzi është arrestuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që sipas autoriteteve drejtohej nga Aurel Hoxha, i cili dyshohet si porositësi i atentatit. Provat e mbledhura deri tani e pozicionojnë Nuzin si ekzekutor në këtë krim, ndërkohë që hetuesit nuk përjashtojnë përfshirjen e tij edhe në veprimtari të tjera të paligjshme brenda këtij grupi.
Para transferimit, ai vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës, por me riaktivizimin e “41 Biss”, është zhvendosur në Peqin, ku do të qëndrojë në kushte izolimi të avancuar dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Ky regjim, i ndërtuar mbi modelin italian kundër mafias, përfaqëson një nga format më të ashpra të administrimit penitenciar. Ai synon të ndërpresë çdo komunikim apo ndikim të mundshëm të të dënuarve me botën e jashtme, duke kufizuar maksimalisht kontaktet dhe duke i vendosur ata në izolim të plotë nga pjesa tjetër e të burgosurve.
Rikthimi i “41 Biss” interpretohet si një mesazh i qartë i institucioneve shqiptare për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar. Burgu i Peqinit pritet të marrë një rol kyç në zbatimin e këtij regjimi, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore për menaxhimin e individëve me profil të lartë kriminal në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



