Rrëshqitje masive e tokës në Librazhd, dhjetëra shtëpi të dëmtuara
Rrëshqitje masive të tokës janë regjistruar këtë të shtunë në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër të bashkisë Librazhd, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrezik për banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake nga terreni, fenomeni ka nisur rreth orës 14:30, ndërsa pas afro një ore është riaktivizuar, duke zhvendosur masa të mëdha toke. Në orët e vona të pasdites, rrëshqitja është përshkallëzuar edhe më tej, duke përfshirë një bllok të gjerë banimi. Si pasojë, dhjetëra banesa kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa shtatë shtëpi janë dëmtuar rëndë.
Më problematike paraqitet situata në Lagjen Hoxha, si edhe në zonën ku më herët ndodhej depoja e furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit, çka ka shtuar ndjeshëm rrezikun për banorët dhe infrastrukturën përreth.
Fshati Spathar është përballur edhe më parë me fenomene të ngjashme, duke u konsideruar një zonë me problematika të theksuara gjeologjike.
Autoritetet vendore janë vënë në dijeni për situatën dhe ndodhen në ndjekje të zhvillimeve, ndërsa pritet një vlerësim i plotë i dëmeve dhe marrja e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së banorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



