E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
AMP vë në pranga efektivin e Policisë në Prrenjas
Lajme

AMP vë në pranga efektivin e Policisë në Prrenjas

Dyshohet se mori para për të nxjerrë nga banesa një person nën “arrest shtëpie”

Një efektiv i Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas dyshimeve se ka përfituar para në këmbim të favorizimit të një personi ndaj të cilit ishte vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Në pranga ka rënë inspektori Çlirim Torra, me detyrë Specialist i Policisë së Rendit (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në varësi të Komisariatit të Policisë Librazhd.

Operacioni është zhvilluar nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi mbi veprimet e dyshuara të efektivit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, Torra dyshohet se ka marrë një shumë parash nga shtetasi me inicialet A.R., ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Dyshimi kryesor i hetimit është se në këmbim të parave, efektivi i ka mundësuar personit nën masën e sigurisë që të shkelë kufizimet e vendosura nga gjykata, duke dalë nga banesa.

Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, ndaj punonjësit të Policisë rëndojnë dyshimet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.

AMP dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, mënyrën e dhënies së parave dhe çdo përgjegjësi tjetër të mundshme që mund të dalë gjatë hetimit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka deklaruar se do të vijojë të ndjekë me prioritet rastet që lidhen me korrupsionin dhe shkeljen e detyrës nga punonjësit e strukturave ligjzbatuese, duke theksuar qasjen e saj të tolerancës zero ndaj rasteve që cenojnë integritetin e Policisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.