Rrëshqitjet e dherave bllokojnë aksin Gramsh-Kukur
Kamioni rrezikon të bjerë në humnerë
Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e aksit rrugor Gramsh–Kukur, një segment që prej kohësh përballet me probleme infrastrukturore.
Situata është bërë kritike në orët e para të mëngjesit, kur një kamion që transportonte mallra ushqimore drejt njësisë administrative Kukur është bllokuar në zonën e njohur si “Përroi i Pishave”. Një pjesë e rrugës ka rrëshqitur, duke e lënë mjetin të pozicionuar në mënyrë të rrezikshme në skajin e saj.
Kamioni ndodhet aktualisht në një pikë shumë të pasigurt, me rrezik real për t’u rrëzuar në humnerë. Drejtuesi i mjetit ka kërkuar ndihmë urgjente, ndërsa çdo vonesë mund të përkeqësojë situatën.
Ndërkohë, qarkullimi në këtë aks është ndërprerë plotësisht, duke krijuar vështirësi serioze për banorët e zonës, si në lëvizje ashtu edhe në furnizimin me produkte bazë. Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin e terrenit dhe rikthimin e normalitetit në këtë rrugë jetike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



