E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rruga e Arbrit, rruga e rrezikut:
Denoncime

Rruga e Arbrit, rruga e rrezikut:

Aksidentet shtohen, por asnjë masë nga kompania “Gjoka Konstruksion”

Një tjetër alarm vjen nga Rruga e Arbrit, një nga veprat më të bujshme të qeverisë, që po kthehet çdo ditë e më shumë në një rrezik real për jetën e qytetarëve.

Pesë ditë më parë, në afërsi të Brrarit, pranë urës, një automjet doli nga rruga dhe ra në një humnerë, duke plagosur rëndë një person që u transportua me urgjencë në spital nga një kalimtar i rastit. Megjithatë, edhe pas pesë ditësh nga ngjarja, asnjë masë nuk është marrë për riparimin e dëmtimeve në hekurat anësore të rrugës, që mbeten të shkatërruara dhe pa sinjalizim.

Një qytetar, që ka dokumentuar gjendjen aktuale, shkruan për Publik.al:

“Te rruga e Arbrit, sapo kalon Fundjavën Ndryshe, afër Brrarit, ende nuk janë marrë asnjë masë për të rregulluar hekurat anësore pas aksidentit që ndodhi para pesë ditësh. Asfalti është në gjendje skandaloze dhe me këtë mot të keq situata bëhet edhe më e rrezikshme. Ndoshta do të ndërgjegjësohen dhe do t’i rregullojnë sa më shpejt.”

Në shënjestër të kritikave është kompania kontraktuese “Gjoka Konstruksion”, e cila, sipas banorëve të zonës, po tregon një neglizhencë të plotë në mirëmbajtjen e rrugës, pavarësisht kostos marramendëse të projektit dhe fondeve publike të përdorura.

Vetëm pak orë më parë, një tjetër aksident i rëndë është regjistruar në afërsi të Gjoricës, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën, duke lënë gjashtë persona të plagosur, mes tyre dy në gjendje të rëndë.

Segmenti ku ndodhi aksidenti njihet si një nga më problematikët e Rrugës së Arbrit, për shkak të mungesës së sinjalistikës, kthesave të rrezikshme, rrëshqitjeve të dheut dhe mosmirëmbajtjes së vazhdueshme.

Ndërsa aksidentet shtohen, institucionet heshtin. Rruga që duhej të bashkonte Dibrën me Tiranën po kthehet në simbol të papërgjegjshmërisë publike — një projekt që u promovua si “sukses kombëtar”, por që sot është një kërcënim për jetën e drejtuesve të mjeteve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.