E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sa do kushtojë? Shatërvani i Trevit bëhet zyrtarisht me pagesë
Bota

Sa do kushtojë? Shatërvani i Trevit bëhet zyrtarisht me pagesë

Vizita në Shatërvanin e famshëm të Trevit në Romë nuk do të jetë më falas për të gjithë. Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, ka konfirmuar se duke nisur nga 1 shkurti, turistët dhe vizitorët e huaj do të duhet të paguajnë një biletë prej 2 eurosh për të pasur akses të drejtpërdrejtë në monument.

Sipas vendimit, vetëm banorët e kryeqytetit italian do të vazhdojnë të kenë hyrje falas. Ndërkohë, shikimi i shatërvanit nga distanca do të mbetet i lirë për të gjithë, por hyrja pranë monumentit do të lejohet vetëm për mbajtësit e biletës, bëri të ditur Gualtieri gjatë një konference për shtyp.

“Nga 1 shkurti po prezantojmë një sistem biletimi për gjashtë monumente në Romë, përfshirë Shatërvanin e Trevit”, deklaroi kryebashkiaku, duke shtuar se hyrja në pesë vendet e tjera do të kushtojë 5 euro.

Shatërvani i Trevit është një nga pikat më të vizituara të Qytetit të Përjetshëm dhe një ndalesë e domosdoshme për miliona turistë. Tradita e hedhjes së monedhës për të bërë një dëshirë është aq e përhapur, sa autoritetet mbledhin mijëra euro çdo javë, të cilat më pas dhurohen për organizatën bamirëse Caritas.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 1 janari deri më 8 dhjetor, rreth 9 milionë turistë kanë vizituar zonën përpara shatërvanit, mesatarisht rreth 30 mijë persona në ditë. Mbipopullimi dhe problemet me hajdutët e xhepave kanë qenë ndër arsyet kryesore që kanë shtyrë autoritetet drejt këtij vendimi.

Bashkia e Romës vlerëson se tarifa e hyrjes në Shatërvanin e Trevit mund të gjenerojë rreth 6.5 milionë euro në vit.

Ky nuk është rasti i parë kur Italia vendos tarifa për monumentet historike. Në vitin 2023 u vendos një biletë për hyrjen në Panteon, ndërsa Venecia aplikoi vitin e kaluar një tarifë hyrjeje turistike gjatë periudhave me fluks të lartë vizitorësh.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.