Safet Gjici dhe Alma Kaçi kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë por…
Safet Gjici ka dalë sërish para Gjykatës së Apelit të posaçëm për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg që iu kishte vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme. Ishte një seancë e ngarkuar me emocione, ku përballë gjykatëses u paraqitën edhe protagonistë të tjerë të këtij rasti të njohur.
Alma Kaçi, gruaja që publikoi video-skandalin e njohur që ka tronditur opinionin publik, ishte e pranishme në seancë dhe po ashtu kërkonte heqjen e masës së arrestit shtëpie që i ishte vendosur më 26 qershor për videon e marrëdhënieve seksuale të regjistruar në zyrën e ishkryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici.
Në pamje sportive dhe me një kapele të errët, Alma Kaçi nuk e mbuloi fytyrën me dosje këtë herë ndërsa hyri në gjykatë. Ajo argumentoi për heqjen e masës së sigurisë me pretendimin se arresti në shtëpi e pengon të sigurojë të ardhura për familjen e saj.
Gjykata e Apelit, në njoftimin e saj për median, njoftoi se gjyqtarja Saida Dollani ka vendosur rrëzimin e ankimeve të paraqitura nga Safet Gjici dhe Alma Kaçi, duke lënë në fuqi masat e sigurisë që ishin vendosur ndaj tyre më 26 qershor. Kjo do të thotë se arresti me burg për Safet Gjicin dhe arresti shtëpie për Almën Kaçi do të vazhdojnë.
Safet Gjici, ish-kryebashkiaku i Kukësit, u arrestua më 24 qershor 2023 në Tiranë për akuzat e korrupsionit pasiv, me dyshime se ka favorizuar Almën Kaçi, duke i ofruar mbështetje financiare, në lidhje me një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



