Saga e gjakmarrjeve në Mirditë që la pas dhjetëra viktima
Vrasja e 69-vjeçarit Viktor Bardhi, këtë të enjte në Mirditë, dyshohet se mund të jetë episodi më i fundit i një serie të gjatë përplasjesh të përgjakshme mes familjeve dhe personave të lidhur me konfliktet e hershme në zonën e Rrëshenit.
Për vite me radhë, emra të ndryshëm janë përfshirë në një zinxhir atentatesh dhe vrasjesh, të shtrira jo vetëm në Mirditë, por edhe jashtë Shqipërisë. Në disa prej këtyre ngjarjeve, autoritetet kanë ngritur dyshime për lidhje me hakmarrje të ndërsjella, ndërsa hetimet kanë vijuar në drejtime të ndryshme.
Një nga episodet më të fundit ishte ekzekutimi i nipit të Viktor Bardhit, Kristian Bardhi, në janar të vitit 2025. Për këtë ngjarje, mes personave të shoqëruar nga policia ishte edhe një nip i Kastriot Reçit.
Më poshtë është kronologjia e ngjarjeve kryesore që kanë shënjuar këtë konflikt ndër vite:
9 shtator 2016 – Vritet Saimir Jaku
Një nga ngjarjet që konsiderohet si pikënisje e zinxhirit të përplasjeve është vrasja e Saimir Jakut më 9 shtator 2016 në Rrëshen.
Jaku, i cili kishte mbajtur detyrën e drejtorit të linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej duke pirë kafe në një lokal.
Vrasja e tij do të pasohej nga një seri atentatesh, ku në vite u përfshinë persona të lidhur me familjet Reçi dhe Gjini.
28 prill 2017 – Ekzekutimi i Gasper Reçit në Romë
Më pak se një vit më vonë, më 28 prill 2017, në Romë të Italisë u vra 43-vjeçari Gasper Reçi.
Sipas dyshimeve të ngritura në atë kohë nga autoritetet, vrasja e Reçit mund të kishte si motiv hakmarrjen për ekzekutimin e Saimir Jakut në Rrëshen.
6 shtator 2017 – Kreshnik Gjini vritet në Belgjikë
Zinxhiri i hakmarrjeve vijoi disa muaj më pas, këtë herë në Belgjikë.
Më 6 shtator 2017, Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut, u vra në komunën e Forestit.
Sipas dyshimeve të policisë belge, ekzekutimi i tij mund të ishte një kundërpërgjigje për vrasjen e Gasper Reçit në Itali. Gjini u qëllua nga persona të maskuar dhe humbi jetën në vend.
Familjet Bardhi dhe Gjini janë njohur ndër vite edhe për marrëdhëniet e tyre të afërta dhe miqësitë mes tyre.
13 gusht 2019 – Armando Gjini ekzekutohet para fëmijëve
Më 13 gusht 2019, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Rrëshenin.
Armando Gjini, i njohur edhe si Tonin Gjini, u qëllua disa herë me armë zjarri teksa ndodhej në automjetin e tij, përballë katedrales. Ngjarja ndodhi në sy të dy fëmijëve.
Gjini ishte një person i njohur në qytet. Emri i tij ishte bërë publik edhe pas arrestimit në vitin 2018, ndërsa më herët automjeti i tij ishte goditur me eksploziv.
7 janar 2020 – Kastriot Reçi vritet me snajper
Më 7 janar 2020, Rrësheni u trondit nga ekzekutimi i Kastriot Reçit.
Ai u qëllua për vdekje përpara lokalit të tij, në qendër të qytetit, në një atentat të realizuar në mënyrë të mirëorganizuar.
Reçi u godit me një plumb të vetëm në zemër, nga një distancë e konsiderueshme, me armë që dyshohej se ishte snajper. Për mënyrën e realizimit të atentatit, u ngritën dyshime se ekzekutimi mund të ishte kryer nga një vrasës me pagesë.
Në të kaluarën, emri i Reçit ishte përmendur në lidhje me dyshime për trafik droge, megjithëse nuk ishte skeduar për një vepër të tillë.
15 shtator 2020 – Atentat me 400 gramë C4 ndaj Preng Gjinit
Vetëm disa muaj pas vrasjes së Kastriot Reçit, më 15 shtator 2020, në Tiranë u tentua vrasja e Preng Gjinit.
Në automjetin me të cilin ai po udhëtonte ishte vendosur një sasi prej rreth 400 gramësh eksploziv C4 në pjesën e përparme të makinës. Shpërthimi u aktivizua në distancë.
Në atë kohë, atentati u dyshua se mund të kishte lidhje me përplasjet e vjetra mes familjeve Reçi dhe Gjini.
Megjithatë, Preng Gjini, në një deklaratë të bërë më vonë, e mohoi lidhjen e atentatit ndaj tij me këtë konflikt.
15 dhjetor 2020 – Vritet Anton Keli në Rrëshen
Më 15 dhjetor 2020, Anton Keli u qëllua me armë zjarri në momentin që po zbriste nga automjeti në Rrëshen.
I plagosur, Keli arriti të lëvizte disa metra dhe hyri në një market, ku kërkoi ndihmë. Ishte shitësja ajo që njoftoi policinë dhe ambulancën, por 51-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Ai ishte qëlluar me pistoletë nga afër dhe një prej plumbave e kishte goditur në gjoks.
Keli ishte kushëri i Armando dhe Preng Gjinit. Për këtë arsye, edhe vrasja e tij u dyshua se mund të ishte pjesë e përplasjes së gjatë mes krahëve të lidhur me familjet Gjini dhe Reçi.
26 shtator 2023 – Martin Bardhi qëllohet me breshëri
Më 26 shtator 2023, një tjetër vrasje e rëndë ndodhi në Rrëshen.
Martin Bardhi ndodhej në një lokal, në shoqërinë e tre të afërmve të tij, kur dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr me armë kallashnikov.
Bardhi u qëllua me breshëri plumbash dhe humbi jetën.
Vetëm rreth një muaj përpara ekzekutimit, ai kishte dalë nga paraburgimi i Lezhës, ku ishte arrestuar për një ngjarje të lidhur me tentativën për vrasjen e Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit.
13 janar 2025 – Kristian Bardhi ekzekutohet në aksin Fier-Vlorë
Më 13 janar 2025, viktimë e radhës u bë Kristian Bardhi, i njohur edhe me mbiemrin Marku.
Ai u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë, pranë mbikalimit të Novoselës.
Sipas të dhënave të bëra publike për ngjarjen, autorët dyshohet se ishin tre persona, të cilët i zunë pritë Bardhit dhe më pas qëlluan në drejtim të tij më shumë se 13 herë me armë zjarri.
Vrasja e Kristian Bardhit riktheu në vëmendje konfliktet e vjetra dhe lidhjet familjare mes personave të përfshirë në këtë seri ngjarjesh.
Viktor Bardhi, episodi më i fundit
Tashmë, vrasja e 69-vjeçarit Viktor Bardhi në Mirditë ka rikthyer edhe një herë në vëmendje historinë e gjatë të përplasjeve dhe hakmarrjeve që kanë prodhuar viktima ndër vite.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse ekzekutimi i Bardhit ka lidhje me ngjarjet e mëparshme apo bëhet fjalë për një konflikt tjetër.
Për momentin, lidhja mes ngjarjeve mbetet në kuadër të dyshimeve dhe pistave hetimore, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e vrasjes dhe identifikimin e autorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



