E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e Viktor Bardhit në Mirditë, shoqërohen 10 persona
Lajme

Vrasja e Viktor Bardhit në Mirditë, shoqërohen 10 persona

Hetimet fokusohen te konflikti i vjetër mes familjeve

Vrasja e 65-vjeçarit Viktor (Marku) Bardhi në fshatin Ndërfushas të Mirditës vijon të jetë pa autor të identifikuar, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së enjtes, kur Bardhi u qëllua me armë zjarri rreth një kilometër larg banesës së tij. Në 24 orët e para të hetimit, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe ka marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ekzekutimit.

Sipas burimeve, rreth 10 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe anëtarë të fisit Reçi. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me një konflikt të hershëm mes familjeve dhe mundësinë që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e një historie të vjetër hakmarrjeje.

Kjo pistë po merr vëmendje edhe për shkak të historisë së mëparshme të përplasjeve mes familjeve. Brenda një periudhe rreth trevjeçare janë shënuar edhe dy vrasje të tjera të personave me mbiemrin Bardhi. Në vitin 2023, Martin Bardhi u vra në Rrëshen, ndërsa Kristjan Bardhi (Marku) u ekzekutua në Novoselë të Vlorës.

Personat e shoqëruar për t’u marrë në pyetje janë lënë të lirë pas dhënies së dëshmive. Megjithatë, hetuesit po vijojnë verifikimet për të përcaktuar nëse ndonjë prej tyre ka dijeni të drejtpërdrejtë mbi ngjarjen apo mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve.

Mungesa e kamerave, një nga pengesat kryesore

Një prej problemeve me të cilat po përballet grupi hetimor është mungesa e kamerave të sigurisë në afërsi të vendit ku ndodhi vrasja.

Për këtë arsye, hetuesit po fokusohen te pamjet e kamerave të sigurisë në hyrje dhe dalje të Rrëshenit, si dhe përgjatë aksit të Rrugës së Kombit. Qëllimi është të gjurmohen lëvizjet e automjeteve që mund të kenë lidhje me atentatin dhe të përcaktohet itinerari i personave të dyshuar.

Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se autorët kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe janë kujdesur të minimizojnë gjurmët që mund të çonin te identifikimi i tyre.

Viktor (Marku) Bardhi u qëllua me armë zjarri, ndërsa hetuesit dyshojnë se në atentat mund të jetë përdorur edhe silenciator. Pas ngjarjes, automjeti i përdorur nga viktima u gjet i djegur në zonën e Munazit, në Rubik, rreth 10 kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja.

65-vjeçari ishte nisur për të hapur furnizimin me ujë

Viktor Bardhi punonte pranë Ujësjellësit të Mirditës dhe, sipas të dhënave të bëra publike për ngjarjen, mëngjesin e atentatit ishte larguar nga banesa për të kryer detyrën e tij, konkretisht për të hapur furnizimin me ujë të pijshëm për zonën.

Automjeti i tij, një Mercedes-Benz i bardhë, u gjet i dëmtuar rëndë nga të shtënat me armë zjarri.

Pavarësisht historisë së konfliktit mes familjeve që po verifikohet nga autoritetet si një prej pistave të hetimit, 65-vjeçari vijonte jetën normalisht dhe lëvizte pa masa të posaçme sigurie.

Policia dhe Prokuroria e Lezhës vijojnë mbledhjen e provave dhe analizimin e të dhënave që mund të ndihmojnë në përcaktimin e motivit të vrasjes, identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.