E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokuroria e Lezhës hap hetim për krime zgjedhore
Lajme

Prokuroria e Lezhës hap hetim për krime zgjedhore

Nën lupë 12 qendra votimi, sekuestrohen listat e votuesve

Zgjedhjet e 11 majit 2025 nën hetim për votim të dyfishtë, prokuroria kërkon nga KQZ listat me nënshkrimet e zgjedhësve

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka regjistruar një procedim penal për dyshime mbi veprën penale të votimit më shumë se një herë ose pa u identifikuar, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Në kuadër të hetimit, organi i akuzës i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vënë në dispozicion listat e zgjedhësve të 12 qendrave të votimit në qarkun e Lezhës, ku janë shënuar pjesëmarrja dhe nënshkrimet e qytetarëve që kanë votuar.

Kërkesa, e protokolluar më 5 maj 2026, lidhet me procedimin penal nr. 603 të vitit 2026, të regjistruar për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal.

Sipas dokumentit, procedimi është regjistruar pas një referimi të bërë nga vetë KQZ-ja, ndërsa hetimet synojnë të verifikojnë nëse gjatë procesit të votimit janë evidentuar shkelje që lidhen me identifikimin e zgjedhësve apo votimin e më shumë se një herë.

12 qendra votimi në fokus të hetimit

Në funksion të hetimit, Zv. Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, i ka kërkuar KQZ-së kopje të njehsuara me origjinalin të listave të zgjedhësve, ku pasqyrohen të dhënat për pjesëmarrjen dhe nënshkrimet e votuesve.

Hetimi përfshin qendra votimi në të tria bashkitë e qarkut Lezhë.

Bashkia Lezhë:

  • QV nr. 0686/00
  • QV nr. 0697/00
  • QV nr. 0697/01
  • QV nr. 0704/00
  • QV nr. 0705/01
  • QV nr. 0712/00
  • QV nr. 0717/00
  • QV nr. 0749/00
  • QV nr. 0749/01

Bashkia Mirditë:

  • QV nr. 0808/00
  • QV nr. 0891/00

Bashkia Kurbin:

  • QV nr. 0847/01

Materialet që kërkon prokuroria do t’i nënshtrohen verifikimit për të evidentuar nëse ka mospërputhje në listat e votuesve, parregullsi në nënshkrime apo indicie për raste të votimit të dyfishtë.

Në këtë fazë bëhet fjalë për një hetim penal, ndërsa ekzistenca e një procedimi nuk nënkupton automatikisht se parregullsitë e dyshuara janë provuar. Përcaktimi i përgjegjësive do të varet nga provat që do të mblidhen gjatë hetimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.