‘Sal Berisha e mprehi shpatën edhe një herë për situatën’
Naim Noka
Kam parë reagimet dhe mosreagimet e shumicës se mendjeve të ftohta dhe me peshë por edhe fanatikët emocionalisht në PD. Një pjesë që kam parë e njohur nëpër foltore kanë qeverisur në dy mandatet dhe kanë bërë miliona kur Berisha ishte kryeministër. Kam parë abuzues dhe të korruptuar që fundosën imazhin e qeverisë Berisha-Meta 2009-2013. Le ta bëjmë hapur një pyetje themelore; Kush e sponsorizon fushatën e Berishës dhe foltoret ndaj ‘Peng Bashës’ ?
Të njëjtët që bëri të pasur Berisha ?! Pse nuk ka transparencë për mijëra euro të shpenzuara nga veriu në jug nga një staf i mirëorganizuar? E ndjek nga afër prej vitit 1990 politikēn Dr Berishës që kur për ta takuar në fillim do të duhej të takoje gazetarin Yllii Rakipi dhe pas tij e zuri vendin Mero Baze. Nuk do tē shkruaj as për arritjet as për gabimet sepse tashmë dihen të gjitha. Nuk më duhet të flas as për foton me shokun Enver që “Fiks Fare” i botoi tani që është në betejën e tij poltike për të rrënuar përfundimisht atë pak PD me kryetar Bashën që mezi po mbijeton nga 8 vite në opozitë krah pēr krah me Doktor Berishën.
Sa për sqarim unë nuk kam një ditë punë në asnjë institucion publik apo shtetëror që nga koha e qeverisë Meksi, Nano, Meta, Rama gjatë gjithë jetës time. Nuk kam njohje as me Berishën dhe as Bashën. Pas vitit 97 kam vetëm disa kartolina që na uronte Dr Berisha për festat e fundvitit deri në vitet 2005, të firmosuara me firmë.
E bëra këtë hyrje për tu kujtuar të gjithë atyre që nuk do reshtin të hedhin dozën e sharjeve pas opinionit tim. E them me zë të lartë që mua , nuk më vlen një grosh Berisha dhe as Basha sa kohē si ‘plaku ‘ i PD-së dhe ‘djali’ i tij i preferuar deri më 9 shtator 2021 ishin bashkë ,humbën bashkë dhe do të ngryseshin bashkë, deri sa Departamenti Amerikan i Shtetit i dha karton të kuq Berishës. Kam dëgjuar të gjitha variantet: Pse?, gabim se kanë kaluar 8 vite , nuk e meriton Berisha etj. Fakti ekziston si për Berishën, si për idhtarët fanatikë të Berishës, si pjesën tjetër të PD dhe Bashës por fakti ekziston edhe për Edi Ramën.
Deri në zgjedhje tjera të radhës Berisha është me karton të kuq nga USA, duan apo nuk duan demokratët. Por një pjesë e mirë e opinionit publik është kundra ambasadorokracisë përfshirë dhe mua që të përcajtojë sovranitetin e një force politike. Por që ti themi troç gjërat sovraniteti sikur e ka humbur kuptimin prej vitesh e aq më pak me USA. Është i pari Berisha dhe e gjithë klasa politike që e kanë katandisur këtë vend në vilajet të ambasadorëve dhe tani të zhytur kokë e këmbë, kërkojnë të bëjnë sovranistin.
Por a ka një zgjidhje për gjendjen që duket e pa shpresë në PD pas dy kuvendeve të 11 dhe 18 dhjetorit? Pasi të mbahen dy kuvendet dhe pa shkuar legjitimiteti i tyre në Gjykatën e Tiranës ka një zgjidhje.
Lulzim Basha mund të bëjë dy veprime
-Të propozojë një Bord Drejtues të PD-së ose ‘Të Urtët ‘ ose çfarëdo emri tjetër pa Berishēn dhe Bashën brenda.
Hapi i dytë, Të hapë PD-në jo vetëm ndaj rrymave dhe qejfmbeturve demokratë ose berishistëve, por ndaj shoqërisë civile, figurave me peshë ne shoqëri, ndaj rinisë dhe elektoratit gri. Të ftojë pa hezitim rrymat opozitare që janë aktive pa dallim, mjaft që të kërkojnë përmbysjen e pushtetit të fortë autokrat të Edi Ramës. Pas një fushate bindëse dhe të ndershme le të konkurojë në zgjedhje për drejtimin e partisë por vetëm me rregulla të gjithë : Agron Shehaj, Bardh Kadili, Edi Paloka, Sali Berisha , Lulzim Basha dhe të gjithë ato figura që duan dhe mendojnë se mund të drejtojnë opozitën në fitore. Unë i neveris, sharjet me libër shpie të të gjithë Berishistëve dhe Bashistëve. Jo ky ështê ‘Hollandez’, ky është Bardha, ky është legjenda që del në foto me shokun Enver… ky është pengBasha, BashatoyotaJaris… janë trushplarje dhe infeksion i rëndë në diskursin politik të opozitës me kulturë që e risolli me sukses në fund të karrierës ‘plaku’ i demokratëve dhe mua më ngjall krupën tani në vitin 2021.
Nëse doktori karikon pambarim ekstremistët e llogjeve me sharje qoftë në rrjet dhe në foltore e sigurtë ēshtë se po krijon Parrinë Demokratike të Foltores. E në këtë rast nuk ka kangë më të gjetur se kjo më poshtë:
Sali Berisha e mprehi shpatën
Edhe njëhërë o për situatën
Kjo asht shpata që u rrin tek koka
gjithë armiqve o që ka bota
Sal Berisha heu tungjatjeta
Sa k’to male o sa k’to shkrepa
Zanin PD-sê o lart ja ngrite
Gjithë ketë popull në dritë qite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



