Sali Berisha thërret protestë më 28 Nëntor: Të nderojmë flamurin kombëtar!
Partia Demokratike do t’i bashkohet protestës së studentëve të paralajmëruar për 28 Nëntorin. Lajmi u bë i ditur nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili u bëri thirrje qytetarëve në mbarë vendin që të dalin në rrugë dhe sheshe në Ditën e Pavarësisë.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha e lidhi tubimin me simbolikën e 28 Nëntorit, duke argumentuar se një protestë masive kundër qeverisë do të ishte një formë nderimi për flamurin dhe sakrificën e të rënëve për kombin.
Kreu i PD-së u bëri apel edhe bizneseve që t’i bashkohen mobilizimit, ndërsa e cilësoi protestën si një reagim ndaj asaj që e quajti regjim dhe ndaj mënyrës se si qeveria ka trajtuar studentët gjatë tubimeve të fundit.
Berisha u ndal veçanërisht te përplasjet mes policisë dhe protestuesve të rinj, duke përmendur dëmtimet fizike të studentëve dhe duke i konsideruar ato akte të papranueshme. Sipas tij, reagimi ndaj këtyre ngjarjeve duhet të jetë një tjetër arsye për pjesëmarrje masive në protestën e 28 Nëntorit.
Ai deklaroi se kjo ditë duhet të shërbejë jo vetëm për nderimin e flamurit dhe himnit kombëtar, por edhe për të shprehur angazhimin për të ardhmen e Shqipërisë.
Deklarata e Berishës:
“Është një motiv i madh për qytetarët të derdhen në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë më datën 28 Nëntor. Nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar të këtij vendi sesa një protestë e fuqishme, e paparë ndonjëherë nga shqiptarët, kundër këtij regjimi, kundër këtij Padrinoje.
Duhet të nderojmë flamurin, duhet të nderohen më 28 Nëntor të rënët e kombit të të gjitha kohërave dhe sakrifica e tyre. Ndaj ftoj të gjitha bizneset nga mbarë vendi që ta shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh të flamurit tonë.
Me një regjim si ky, pasiguria totale i pret shqiptarët. Por ka edhe një motiv të madh tjetër: barbaria që ai tregoi ndaj studentëve nuk i falet kurrë.
Ato këmbë të thyera, ata krahë dhe ato kafka të çara janë plagë për çdo shqiptar, sepse kanë qenë akte barbare të një njeriu që, për karrigen e tij, ka pasur si motiv vetëm urrejtjen ndaj rinisë shqiptare dhe të ardhmes së këtij vendi.
Edhe ky është një motiv madhor. 28 Nëntori, dita e përkushtimit tonë ndaj flamurit, himnit të tij dhe të ardhmes së Shqipërisë”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë, kujtojmë se studentët kanë paralajmëruar protesta kombëtare më 28 dhe 29 Nëntor, duke e shtrirë mobilizimin përtej kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



