Sali Berisha ‘zbythet’ pas presioneve të deputetëve të PD-së
Sali Berisha ka rishikuar qëndrimin e tij pas diskutimeve dhe presionit të ardhur nga brenda radhëve të Partisë Demokratike, duke vendosur të angazhohet në punimet e komisioneve parlamentare.
Vendimi u bë i ditur nga deputeti Luçiano Boçi, i cili pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar demokrat, konfirmoi se PD-ja do të vazhdojë pjesëmarrjen aktive në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Sipas Boçit, nuk do të ketë bojkot as ndaj Komisionit për Reformën Territoriale. Ai theksoi se pas diskutimeve të zhvilluara në Grupin Parlamentar dhe në Kryesinë e vogël të PD-së, është arritur në një qëndrim të qartë politik për vijimin e punës në këto struktura parlamentare.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë: do të jemi pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe do të vijojmë axhendën e ndërprerë, e cila ndodhet në fazën e zgjedhjes së sekretarit të komisionit. Nuk do të ketë bojkot”, deklaroi Boçi.
Ky vendim vjen në një kohë kur disa deputetë demokratë, gjatë mbledhjes së fundit të Grupit Parlamentar, kanë kërkuar që PD-ja të mos tërhiqet nga proceset e rëndësishme të reformave zgjedhore dhe territoriale, duke e konsideruar pjesëmarrjen si thelbësore për rolin opozitar në Kuvend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



