Salillari dhe 2T “gllabërojnë 60 mln euro të Bypass-it të Elbasanit
Kompania “Salillari”, në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, vijon të dominojë tenderat dhe koncesionet në sektorin e infrastrukturës rrugore, duke siguruar kontrata të reja publike edhe në një kohë kur ndaj saj ekzistojnë hetime aktive nga Prokuroria e Posaçme.
Vetëm pak javë pasi u shpall një nga përfitueset e koncesionit 35-vjeçar për rrugën Milot–Balldre, me vlerë rreth 364 milionë euro, kjo kompani ka marrë edhe një tjetër kontratë të rëndësishme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Bëhet fjalë për lotin e dytë të Bypass-it të Elbasanit, me një fond limit prej 26 milionë euro.
Procedura e këtij tenderi ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën e përzgjedhjes. Edhe pse në garë morën pjesë 16 operatorë ekonomikë dhe një ofertë ishte rreth 760 mijë euro më e ulët, ajo u skualifikua nga ARRSH, duke i hapur rrugë shpalljes fituese të “Salillarit”, me një ofertë që arrin në 72.1% të fondit limit.
Paralelisht, ARRSH ka ndarë edhe lotin e parë të këtij projekti, me vlerë 34.4 milionë euro, ku fituese është shpallur kompania “2T”. Kjo kompani ka në strukturën e saj pronësore edhe Artan Sakon, vëllain e kryebashkiakut socialist të Tepelenës, fakt që shton më tej debatet mbi konfliktin e interesit dhe lidhjet politike në ndarjen e fondeve publike.
Tenderat vazhdojnë, ndërsa dosjet e SPAK rëndohen
Ajo që e bën edhe më të ndjeshme këtë situatë është fakti se të dyja kompanitë, ndonëse përfitojnë kontrata të reja miliona euro, janë njëkohësisht nën lupën e SPAK për dyshime të forta korrupsioni dhe manipulimi të procedurave.
Sipas të dhënave hetimore, “Salillari” dyshohet se ka përfituar rreth 170–180 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes praktikave të kontestuara, si paracaktimi i fituesve, skualifikimi i ofertave më të ulëta dhe ndryshimi i volumeve në projekte. Një nga rastet më të përfolura është ai i Lotit 1 të Unazës së Re, ku disa zyrtarë të ARRSH janë dërguar për gjykim për favorizim të kësaj kompanie.
Hetimet kanë avancuar deri në kontrolle fizike në ambientet e kompanisë nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ku janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente të rëndësishme. Emri i Pëllumb Salillarit është përmendur gjithashtu në një tjetër dosje të rëndësishme që lidhet me ish-ministren e Infrastrukturës, ku ai pritet të japë shpjegime për rrethana të caktuara.
Edhe kompania “2T” është përfshirë në hetime të ngjashme. Kontrollet e BKH në zyrat e saj lidhen me dyshime për procedura të parregullta në projekte madhore, përfshirë Lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës dhe fondet shtesë të dhëna për aksin Qukës–Qafë Plloçë. Po ashtu, emri i kësaj kompanie është lidhur edhe me hetimet për kontratat e mirëmbajtjes rrugore dhe ish-drejtues të ARRSH.
E njëjta skemë, të njëjtët fitues
Rastet e fundit tregojnë një model të përsëritur në shpërndarjen e tenderave publikë, ku pavarësisht hetimeve dhe dyshimeve për abuzime, kontratat vijojnë të përqendrohen tek të njëjtët operatorë ekonomikë.
Ndërsa SPAK intensifikon hetimet dhe ndërmerr veprime konkrete në terren, institucionet që administrojnë fondet publike duket se vazhdojnë të ndjekin të njëjtën linjë në përzgjedhjen e fituesve, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi funksionimin real të sistemit të prokurimeve në Shqipëri.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



