Sarandioti Ilir Proda nuk siguron rend dhe qetësi as në qytetin e tij
Publik.al – Editorial
Saranda po zhytet gjithnjë e më thellë në një gjendje kaotike pasigurie, ndërsa drejtuesit më të lartë të policisë qëndrojnë në heshtje dhe papërgjegjshmëri. Në katër ditë të vetme, qyteti i njohur për plazhet e tij dhe mikpritjen tradicionale, është tronditur nga dy sulme me armë dhe një shpërthim tritoli. Ndërkohë, shefi i Policisë së Shtetit, Ilir Proda një sarandiot vetë, nuk arrin të garantojë rendin dhe qetësinë as në vendlindjen e tij.
Qytetarët janë të tronditur, turistët po largohen. Në një mesazh alarmant, një vizitor nga jashtë shkruan:
“Kemi rreth një javë në Sarandë me pushime dhe tani po bëjmë gati plaçkat të ikim. Saranda është bërë si Kabuli. Në 4 ditë: 2 goditje me armë, një shpërthim tritoli. Ky shefi i komisariatit duhet zëvendësuar menjëherë. Policia nuk ekziston. Makina me xhirime kalojnë para komisariatit dhe askush nuk i ndalon, sepse urdhrat janë të qartë: mos i prekni!”
Në vend që të ruajë rendin dhe të sigurojë pushuesit, policia lokale nën drejtimin e një komandanti të papërgjegjshëm, merret vetëm me vendosje gjobash për bizneset buzë detit, duke lënë krimin të shpërthejë në rrugë të hapur. Kjo është një dështim institucional i qartë.
Por më shqetësues është heshtja e Ilir Prodës. Ai, që vjen nga Saranda dhe drejton Policinë e Shtetit në të gjithë vendin, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret, nuk ka reaguar, nuk ka nisur asnjë hetim, nuk ka dërguar përforcime. Heshtja e tij është po aq tronditëse sa dhe shpërthimet që po tronditin qytetin.
Nëse një drejtues i Policisë së Shtetit nuk reagon kur krimi shpërthen në qytetin e tij të lindjes, si mund të presim që të veprojë për pjesën tjetër të vendit?
Situata në Sarandë është një kambanë alarmi për gjithë sistemin e rendit. Dhe nëse Ilir Proda nuk është i aftë të menaxhojë krizën në vendin e vet, ndoshta është koha të reflektojë nëse mund të vazhdojë të mbajë detyrën më të lartë në hierarkinë e sigurisë së vendit.
Sepse Saranda nuk mund të kthehet në një “zonë lufte”, ndërsa krerët e policisë rrinë në zyrat e tyre të ftohta në Tiranë dhe numërojnë gjobat që kanë vendosur për shezlongë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



