Sekretarja e Sigurisë Kombëtare pushon 23 punonjës të IT-së
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, deklaroi të premten se ka ndodhur një shkelje e të dhënave në rrjetin e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA), një institucion që aktualisht përballet me prerje të thella buxhetore dhe rrezikon shpërbërjen.
Pa dhënë detaje të hollësishme mbi incidentin, Noem akuzoi drejtpërdrejt departamentin e IT-së të FEMA-s, duke bërë të ditur se ka pushuar nga puna 23 punonjës të këtij sektori.
Ajo paralajmëroi se incidenti përbën kërcënim jo vetëm për agjencinë, por edhe për sigurinë kombëtare, por gjithashtu siguroi publikun amerikan se asnjë qytetar nuk është prekur drejtpërdrejt nga ngjarja. “Asnjë informacion i ndjeshëm nuk është nxjerrë nga ndonjë rrjet i Departamentit të Sigurisë së Brendshme,” theksoi Noem.
Ministrja ishte e ashpër në deklaratat e saj ndaj stafit të IT-së, duke i akuzuar për dështim, neglizhencë, paaftësi dhe mungesë ndershmërie.
Lajmi për këtë shkelje të sigurisë dhe për pushimet nga puna që lidhen me të vjen vetëm pak ditë pas publikimit të një letre të hapur proteste nga dhjetëra ish dhe aktualë punonjës të FEMA-s, të cilët paralajmëruan Kongresin Amerikan se mungesa e përvojës në udhëheqjen e vendosur nga presidenti Donald Trump mund të çojë në një katastrofë të ngjashme me atë të uraganit Katrina, që goditi rëndë New Orleansin para 20 vitesh.
Presidenti Trump ka deklaruar më parë se në raste fatkeqësish, përgjegjësia për menaxhimin duhet t’u mbetet autoriteteve shtetërore, ndërsa FEMA ka ngrirë rekrutimet e reja të paktën deri në fund të këtij viti, sipas burimeve të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



