Sekuestrimi i vilës në Dhërmi, Igli Tare ankimon vendimin
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, ka ndërmarrë hapa ligjorë duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit të Posaçëm, ku ka ankimuar vendimin për sekuestrimin e një vile në fshatin Gjilekë të Dhërmiut.
Prona në fjalë u sekuestrua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pas dyshimeve të ngritura gjatë hetimeve se ajo mund të jetë pasuri e fshehur e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se vila është përfituar në formë ryshfeti nga kompania “Eurocol”, e cila pretendohet se është favorizuar në një procedurë tenderuese në kohën kur Balluku mbante detyrën e drejtoreshës së Albcontrol.
Nga ana e tij, Igli Tare kundërshton këto pretendime, duke deklaruar se prona është në pronësinë e tij dhe se masa e sekuestros është e pabazuar dhe e padrejtë. Ai kërkon rishikimin e vendimit nga Apeli i Posaçëm.
Seanca për shqyrtimin e këtij ankimimi është caktuar të mbahet më 30 qershor, ku pritet të hidhet më shumë dritë mbi pronësinë e vilës dhe pretendimet e ngritura nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, Belinda Balluku, ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, vijon të jetë nën hetim për një sërë çështjesh që lidhen me abuzime në tenderat publikë, korrupsion dhe pastrim parash.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



