Vëllai i Igli Tares sulmon SPAK-un: Bëri show dhe teatër!
Ish-futbollistin e mbajtëb 6 orë, por vetëm një orë iu bënë pyetje
Vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, Genti Tare, ka kritikuar publikisht mënyrën se si SPAK ka vepruar në lidhje me çështjen e vëllait të tij, duke ngritur pikëpyetje si për marrjen e tij në pyetje, ashtu edhe për sekuestrimin e një vile në Palasë.
Në një ndërhyrje telefonike në emisionin “Top Story”, Genti Tare ka kundërshtuar mënyrën se si është raportuar qëndrimi gjashtëorësh i Igli Tares në ambientet e SPAK.
Sipas tij, kohëzgjatja e qëndrimit nuk përkon me kohën reale të marrjes në pyetje. Tare pretendoi se ish-futbollisti është marrë në pyetje në mënyrë efektive vetëm për rreth një orë, ndërsa pesë orët e tjera, sipas tij, kanë shërbyer për të krijuar një perceptim mediatik të ndryshëm.
“Një orë kanë qenë pyetje efektive, 5 orët e tjera kanë qenë teatër. Që të dilte lajmi: Igli Tare 6 orë në SPAK”, deklaroi Genti Tare.
Akuza për dekonspirimin e aksionit në Palasë
Genti Tare është ndalur më pas te sekuestrimi i vilës në Palasë, duke ngritur një tjetër pretendim ndaj SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas tij, informacioni mbi sekuestrimin e pronës ishte bërë publik në media përpara se agjentët e BKH-së të ndërmerrnin veprimin në terren.
Tare pretendoi se lajmi për sekuestrimin ishte publikuar rreth orës 18:00, ndërsa ekipi i BKH-së, sipas tij, kishte mbërritur në vilë rreth orës 20:00.
Duke iu referuar kësaj kronologjie, ai e cilësoi situatën si një rast të pazakontë dhe hodhi akuza për nxjerrjen e informacionit përpara përfundimit të operacionit.
“Është hera e parë që SPAK-u ka dekonspiruar SPAK-un”, u shpreh Tare.
Ai argumentoi se publikimi paraprak i informacionit mund të kishte cenuar edhe efektivitetin e aksionit, pasi personat që mund të kishin dijeni për pronën do të kishin pasur kohë të reagonin.
“Unë po të kisha gjëra në atë vilë, do t’i kisha hequr. Sekuestrimi ndodhi dy orë pas lajmit”, tha ai.
“SPAK nuk duhej ta jepte me kaq nxitim”
Vëllai i Igli Tares ka vijuar kritikat duke argumentuar se informacioni mbi aksionin duhej të bëhej publik vetëm pasi të ishin përmbushur veprimet procedurale.
Sipas tij, publikimi i lajmit përpara realizimit të sekuestrimit ngre pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit dhe komunikimit të operacionit.
“Është skandal që SPAK-u e dha me kaq nxitim. Pse duhej ta jepte me kaq nxitim? Të zbatonte procedurën”, deklaroi Genti Tare.
Ai ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar Igli Tare në këtë proces.
Në përfundim të ndërhyrjes, Genti Tare e ka cilësuar si të padrejtë situatën e krijuar rreth ish-futbollistit, duke vënë në dukje kontributin që ai ka dhënë, sipas tij, për Shqipërinë.
“Është turp që kjo gjë i bëhet një personi, i cili vetëm mirë i ka bërë këtij vendi”, përfundoi ai.
Pretendimet e Genti Tares janë deklarata të tij në media dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatime të një organi gjyqësor lidhur me veprimet e SPAK apo BKH.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



