Sekuestrohen 120 shishe verë dhe mallra të padeklaruara në Portin e Durrësit
Një sasi e konsiderueshme mallrash të padeklaruara është zbuluar në Portin e Durrësit gjatë kontrollit të një mjeti që kishte mbërritur nga Italia.
Kontrolli është kryer në vijën e dytë të kontrollit të mjeteve të rënda, pas mbërritjes së automjetit me tragetin e linjës Ankona–Durrës.
Gjatë verifikimit të pjesës së pasme të mjetit, autoritetet kanë konstatuar 20 kuti me nga 6 shishe verë secila, në total 120 shishe. Në automjet janë gjetur gjithashtu 2 kondicionerë të rinj dhe 238 kremra kozmetikë.
Sipas të dhënave të kontrollit, këto mallra nuk ishin deklaruar nga drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Pas konstatimit të shkeljes, automjeti së bashku me drejtuesin është referuar pranë strukturave të DVKM Durrës, ku do të vijojnë procedurat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Zbulimi i mallrave është bërë gjatë kontrolleve të kryera në hyrje të territorit shqiptar, në kuadër të verifikimit të ngarkesave dhe mallrave që transportohen përmes pikës doganore të Portit të Durrësit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



