Shembet ura në Mirditë, izolohen dhjetëra familje
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin ditët e fundit kanë shkaktuar shembjen e një ure në fshatin Domgjon të Mirditës, duke lënë të izoluara mbi 30 familje.
Sipas banorëve, situata është mjaft e vështirë pasi janë dëmtuar dy ura që i lidhin me Rrugën e Kombit, ndërsa në zonë janë regjistruar edhe probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
“Kemi mbetur të bllokuar. S’kemi rrugë për të kaluar, as për të dalë në qytet. Ura është shembur krejt,” – rrëfejnë banorët, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale.
Kryebashkiaku Mëlyshi: “Një nga urat do të ndërtohet brenda këtij viti”
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, konfirmoi se reshjet me intensitet të lartë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, por siguroi se puna për ndërtimin e një ure të re do të nisë brenda këtij viti.
“Dje dhe gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet të lartë. Lumi në këtë zonë është shumë problematik për shkak të inerteve që mbart. Duhet të ulet niveli i ujit për të ndërhyrë. Aktualisht kemi në projekt ndërtimin e një ure, ndërsa për të tjerat do të vlerësojmë situatën në vijim,” – tha Mëlyshi, gjatë inspektimit të terrenit.
Banorët kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme
Banorët e Domgjonit apelojnë për zgjidhje afatgjata, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që zona përballet me probleme të tilla gjatë periudhave me reshje të forta.
“Çdo vit ndodh e njëjta histori. Urat shemben, rrugët bllokohen, dhe askush nuk merr masa që kjo të mos përsëritet,” – shprehen ata.
Autoritetet lokale po ndjekin nga afër situatën, ndërsa pritet që pas uljes së nivelit të ujërave të nisë ndërhyrja për rindërtimin e urës dhe normalizimin e furnizimeve me energji e ujë në zonë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



