Shembja e aksit Librazhd-Pogradec, prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Elbasanit ka nisur me iniciativë hetimet për dëmtimet e rënda që çuan në bllokimin total të aksit rrugor Librazhd–Pogradec, një nga segmentet më të rëndësishme lidhëse në juglindje të vendit.
Procedimi penal është regjistruar për veprat “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrim i rrugës” dhe “Ndotje e ajrit, ujit apo tokës”.
Që në orët e para të mëngjesit në terren kanë zbritur inspektorë të IKMT në Elbasan, Policia Shkencore dhe përfaqësues të Prokurorisë, të cilët po kryejnë verifikime intensive mbi aktivitetin e një kompanie që dyshohet se ka ushtruar shfrytëzim të shtratit të lumit për nxjerrje inertesh.
Sipas burimeve nga grupi i inspektimit, po kontrollohet dokumentacioni i lejeve, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes si dhe nëse janë respektuar sasitë e lejuara të materialeve të nxjerra.
Situatë alarmante në terren
Dëmtimet kanë sjellë pasoja zinxhir. Përveç bllokimit total të rrugës – segment që lidhet me projektin strategjik të Korridori VIII – rrëshqitjet e tokës kanë prekur edhe linjën hekurudhore, si dhe linjën elektrike me tension të lartë 110 KV, duke rritur rrezikun për ndërprerje energjie dhe probleme të tjera serioze.
Ekspertët po analizojnë nëse ndërhyrjet në shtratin e lumit kanë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin gjeologjik të zonës.
Për shkak të rrezikut, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur bllokimin e plotë të qarkullimit në këtë aks, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Prej më shumë se 24 orësh, lidhja nga Tirana drejt Korçës realizohet vetëm përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rrugë me infrastrukturë të amortizuar që shton kohën e udhëtimit me rreth një orë.
ARRSH ka orientuar drejtuesit e mjeteve të përdorin alternativat Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan dhe Qafthanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë duhet të kalojnë përmes pikave doganore Qafë Thanë dhe Bllatë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë mbi një nga situatat më të rënda infrastrukturore të ditëve të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



