E premte, 30 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
300 tonë mbetje të rrezikshme në qiell të hapur, Prokuroria ‘troket’ në derën e Albchrome
Lajme

300 tonë mbetje të rrezikshme në qiell të hapur, Prokuroria ‘troket’ në derën e Albchrome

Një gjenocid mjedisor është duke ndodhur në zonën pranë Metalurgjikut në Elbasan, ku mijëra mbetje të rrezikshme janë lënë për një kohë në qiell të hapur, duke rrezikuar jetët e mijëra punëtorëve dhe banorëve të zonës. Pas konstatimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për këto mbetje kancerogjene, Prokuroria e Elbasanit ka zbarkuar në mjediset e Ferrokromit në zonën e Paprit, duke këqyrur vendin e ngjarjes.

Vendimi për nisjen e menjëhershme të procedimit penal ka ardhur nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, teksa për hetimin e kësaj dosje të rëndë penale, që ka prekur mijëra banorë, është ngritur një grup hetimor me 3 prokurorë dhe 2 hetues. Dokumentet e hulumtuara nga Vox News hedhin dritë mbi një skandal të përsëritur në atë zonë, ku deri më tani organet kontrolluese dhe ato ligjzbatuese vetëm sa “kanë fryrë sytë” apo “xhepat”, ndërsa u desh një kontroll rutinë për të zbuluar shumëçka.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është një dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme, ku firma koncesionare Albchrome, e cila ka marrë në përdorim minierën e madhe në Bulqizë dhe disa Uzina Ferrokromi, një ndër të cilat edhe ajo në Papër të Elbasanit, po bën manovra për të vjelë pasurinë publike. Madje, bilancet e saj dalin me humbje, duke ngjasuar me dosjen “Bankers”, ku në këtë rast shteti shqiptar, dhe shqiptarët në përgjithësi, dalin të humbur nga këto vendburime.

Gjenocidi mjedisor në Elbasan – Prokuroria zbarkon te

Gjenocidi mjedisor në Elbasan – Prokuroria zbarkon te

Faksimile: Vendimi i Prokurorisë së Elbasanit për këqyrjen e vendit të ngjarjes në Uzinën e Ferrokromit 

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, ka urdhëruar nisjen e një hetimi ndaj kompanisë “Alb Chrome”. Në dokument përcaktohet se është marrë vendimi për “këqyrjen e vendit të ngjarjes”.

“Në Elbasan, sot më datë 28 tetor 2026, ne Kreshnik Ajazi, Jonida Allushi dhe Vasjana Postol, me detyrë prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pasi studiuam aktet e procedimit penal me numër 1454, të datës 28 tetor 2026, për nevoja hetimore vlerësojmë të nevojshme këqyrjen e vendit të ngjarjes të ndodhur në Uzinën e Ferrokromit në Papër, Elbasan, me qëllim fiksimin e të gjitha provave të mëtejshme materiale”, thuhet në dokument.

Më pas, 3 prokurorët vendosën këqyrjen e vendit të ngjarjes të ndodhur në Uzinën e Ferrokromit në Papër, Elbasan, në pronësi të “Albchrome” shpk.

 “Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohen oficerët e policisë gjyqësore z. Bledar Xhoxhaj dhe z. Hasan Asllani, të asistuar nga eksperti kriminalist i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Një kopje e këtij vendimi i dorëzohet personit përgjegjës të vendit ku do të kryhet këqyrja”, thuhet në këtë vendim.

Gjenocidi mjedisor në Elbasan – Prokuroria zbarkon te

Faksimile: Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për masakrën mjedisore në Fabrikën e Ferrokromit në Papër, të Elbasanit

Disa ditë më parë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit publikoi një raport për Fabrikën e Ferrokromit, në Elbasan, në pronësi të firmës koncesionare Albchrome. Sipas raportit, janë konstatuar mbi 300 tonë pluhura të kapura nga filtrat e oxhaqeve, të klasifikuara me kode të rrezikshme mjedisore.

Në të njëjtin dokument shkruhet se këto mbetje përmbajnë koncentrime të larta të metaleve të rënda, madje ato ishin paketuar me thasë të thjeshtë dhe ishin lënë në qiell të hapur prej më shumë se një viti. Gjithashtu, inspektorët e AKM-së evidentuan se firma koncesionare nuk kishte menaxhuar mirë skorjet e ferrokromit.

Vend depozitimi i tyre ishte i pa izoluar, pa rrethim dhe pa asnjë kanalizim mbrojtës. Madje, ishin lënë në kontakt me shiun dhe në qiell të hapur. Ujërat e ndotur që gjenerohen nga procesi rridhnin jashtë çdo kontrolli, thithen nga toka dhe helmojnë basenet e ujërave nëntokësore në Papër.

Raporti vijonte se thithja e pluhurit dhe konsumi i ujit të ndotur shkaktojnë direkt kancer të mushkërive, si dhe rritin ndjeshëm rrezikun për kancer të stomakut, mëlçisë dhe veshkave. Përveç rrezikut tumoral, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre mbetjeve shkakton dëmtime të rënda të rrugëve respiratore, si bronkit kronik dhe fibroza të pakthyeshme, si dhe mbart veti mutagjene që dëmtojnë direkt ADN-në, duke shfaqur rreziqe serioze riprodhuese për gratë shtatzëna.

Agjencia e Mjedisit kishte konstatuar se brenda rrethimit të uzinës, firma Albchrome ka operuar në mënyrë të fshehtë me një stacion të tërë karburanti, pa e deklaruar dhe pa e përfshirë në lejen e mjedisit.

Gjenocidi mjedisor në Elbasan – Prokuroria zbarkon te

Faksimile: Raporti financiar i kompanisë Albchrome për vitin 2025, i publikuar në muajin gusht 2026 në Qendrën Kombëtare të Biznesit

Vox News ka denoncuar në vijimësi skandalet e njëpasnjëshme të kompanisë koncesionare Albchrome, ku aktualisht firma menaxhohet nga turqit, ku krahës uzinës në Elbasan, kanë në përdorim minierën në Bulqizë dhe fabrikat e pasurimit në Burrel e Klos. Dokumentet që ka hulumtuara nga redaksia jonë hedhin dritë mbi skandalet e radhës me koncesionet, duke qenë se kompania që ka marrë në menaxhim minierat dhe fabrikat bën bilance tepër të dyshimta, madje gjatë dy viteve të fundit që ka raportuar, ajo i ka nxjerrë me humbje, në shifra të mëdha.

Nëse humbja në vitin 2024 ka qenë rreth 720 mijë euro, në vitin 2025, e njëjta kompani ka nxjerrë bilancin me humbje në një shifër tepër të lartë, plot 15 milionë euro. Dyshimet janë se paratë e kromit shqiptar kanë shkuar në disa banka, të cilat i kanë dhënë kredi firmës koncesionare dhe tashmë janë paguar sa “qimet e kokës”, ndoshta me skemën e famshme të katapultimit të këtyre parave në sistemin bankar, për t’u humbur gjurmët. Nëse këta shtetarët tanë bënë të paditurin me kompaninë që menaxhon fushën naftëmbajtëse Patos – Marinzë, a do të bëjnë të njëjtën gjë me minierat e kromit?!/voxnews

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.