Shërbimet në e-Albania me pagesë? AKSHI zbulon të vërtetën
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka reaguar pas lajmeve që qarkullojnë për shërbimet në platformën e-Albania, të cilat pritet të kenë pagesë për bizneset dhe qytetarët.
Në deklaratën e saj të publikuar këtë të enjte, më 16 tetor, AKSHI thekson se shërbimet elektronike në e-Albania vazhdojnë të jenë falas për përdorimin e zakonshëm nga qytetarët dhe subjektet private. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur tarifat janë të përcaktuara nga baza ligjore në fuqi e institucionit që ofron shërbimin.
Çfarë përfshijnë tarifat e reja?
Sipas AKSHI-t, tarifat e vendosura nga vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave prekin vetëm subjektet private që kërkojnë ndërveprim teknik me regjistrat elektronikë dhe bazat e të dhënave shtetërore. Kjo do të thotë se ato lidhen me integrimin e sistemeve të tyre me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG), e cila shërben për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave. Përdoruesit e zakonshëm nuk preken nga këto tarifa.
“Në vijim të publikimeve në disa media, dëshirojmë të sqarojmë se lajmi se ‘bizneset do të paguajnë për çdo transaksion në e-Albania’ nuk është i saktë. Shërbimet elektronike të portalit qeveritar e-Albania vijojnë të mbeten falas për qytetarët dhe bizneset në përdorimin e tyre të zakonshëm, përveç rasteve kur ato kanë një tarifë të përcaktuar nga baza ligjore në fuqi e institucionit ofrues të shërbimit.
Tarifat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave lidhen vetëm me subjektet private që dëshirojnë të ndërveprojnë teknikisht me regjistrat elektronikë, bazat e të dhënave shtetërore, pra për ato palë që kërkojnë të integrojnë sistemet e tyre elektronike me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG) për shkëmbim të të dhënave në kohë reale.
Këto tarifa nuk aplikohen për përdoruesit e zakonshëm të portalit, por vetëm për subjektet që përdorin funksionalitete teknike të avancuara, të dedikuara për ndërveprim ndërmjet sistemeve. Gjithashtu, sqarojmë se tarifat për shërbimin e nënshkrimit elektronik dhe vulës elektronike nuk kanë ndryshuar.”, thuhet në reagimin e AKSH-it.
Përveç kësaj, është prezantuar një shërbim i ri i nënshkrimit elektronik për qytetarët, që u mundëson atyre të përfitojnë ulje të ndjeshme në kostot financiare. Përdorimi i këtij nënshkrimi mbetet vullnetar.
Ky shërbim lejon që shumë veprime që më parë kërkonin shërbime noteriale apo prezencë fizike — si nënshkrimi i kontratave, deklaratave apo autorizimeve — të kryhen tani plotësisht online, duke pasur fuqi të barabartë ligjore. Kjo shmang pagesat noteriale, udhëtimet dhe shpenzimet e tjera që lidhen me dokumentet fizike.
AKSH sqaron se shërbimet e para që do të ofrohen së shpejti si “shërbime të besuara”, ku qytetarët do të përdorin nënshkrimin elektronik, përfshijnë:
-
Prokurë e posaçme
-
Deklaratë noteriale, përmes së cilës njëri nga prindërit autorizon prindin tjetër (ose të dy prindërit një familjar) të shoqërojë të miturin nën 16 vjeç për të udhëtuar jashtë territorit të Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



