E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sherri i turistëve italianë me të miturit në Tiranë, reagon policia
Lajme

Sherri i turistëve italianë me të miturit në Tiranë, reagon policia

Zbulohet se çfarë ndodhi pas Pallatit të Kulturës

Një grup prej gjashtë turistësh italianë kanë ndërprerë pushimet e tyre në Shqipëri pas një konflikti të ndodhur mbrëmjen e 29 korrikut në Tiranë. Të rinjtë nga qyteti Venosa, në provincën e Potenzës, kanë deklaruar për një media italiane se janë sulmuar nga një grup personash pranë zonës pas Pallatit të Kulturës.

Sipas dëshmisë së njërit prej turistëve, grupi kishte dalë nga apartamenti ku qëndronte me qira për të shkuar për darkë, kur pranë tyre është afruar një grup të rinjsh. Ai pretendon se situata është përshkallëzuar dhe se një prej shokëve të tij ka mbetur i dëmtuar gjatë konfliktit.

Pas ngjarjes, turisti i lënduar ka marrë ndihmë mjekësore në Tiranë, ndërsa mëngjesin e 30 korrikut grupi është kthyer në Itali duke ndërprerë qëndrimin e planifikuar në Shqipëri.

Policia: I dëmtuari nuk bëri kallëzim, pamjet tregojnë konflikt me të mitur

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila ka dhënë versionin zyrtar mbi rrethanat e konfliktit.

Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 22:00, në zonën pas Pallatit të Kulturës dhe është proceduar për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë mbërritur në vendngjarje pas një njoftimi për konflikt, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M. me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Ai është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ka qenë i vetëdijshëm dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se shtetasi italian nuk ka pranuar të bëjë kallëzim ndaj personave që dyshohet se e kanë dëmtuar. Po ashtu, edhe dy personat që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion mbi rrethanat e konfliktit.

Megjithatë, grupi hetimor ka vijuar veprimet procedurale dhe, pas këqyrjes së pamjeve filmike, sipas Policisë së Tiranës, ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Sipas Policisë, pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, procedurat hetimore kanë vijuar për të sqaruar rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:

Në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin. Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.

Më pas, shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.

Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar.

Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit.

Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.