Sherri mes dy ministreve Balluku-Ibrahimaj apo lajmi i rremë shkarkimi i kësaj të fundit
Rreth mesditës, u raportua shkarkimi i Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, i cili më pas u mohua prej saj para se të hynte në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, rreth orës 18.
Një lajm që filloi e qarkulloi për rreth tre orë. Por çfarë ndodhi?
Fillimisht në media filluan të qarkullonin informacione në lidhje me një debat të ashpër midis Delina Ibrahimajt dhe zv.Kryeministres Belinda Balluku gjatë mbledhjes së qeverisë që drejtohej nga kjo e fundit.
Më pas ishte një portal në ptonësi të Baton Haxhiut ai që raportoi se ishte shkarkuar një nga ministrat e Ramës në një mbledhje urgjente. Lajmi mori dhenë. Gazetari ynë nuk arriti të konfirmonte lajmin për emrin e ministers së shkarkuar. Por lajmin filluan ta hidhnin dhe mediat kryesore të qeverisë siç është Top Chanel, Report TV, etj, pra mediat thuajse zyrtare nga ku kalojnë lajmet e qeverisë.
Megjithatë një deputet e konfirmoi lajmin se kishte patur një debat të ashpër mos Ballukut dhe Ibrahimajt dhe se Rama kishte vendosur shkarkimin e saj.
Vetë ministrja Ibrahimaj, pasdite pas daljes së lajmit në komunikimet me të njohur dhe të afërm të saj ka konfirmuar shkarkimin nga kryeministri Rama dhe debatet e ndodhura në mbledhjen e qeverisë.
Më pas gjithçka u mohua. Edhe Ibrahimaj, edhe kryeministri tha një “Jo” për shkarkimin e saj.
Çfarë ndodhi në rreth tre orë ku qeveria la të qarkullonte një lajm që ishte i vërtetë. U tërhoq Edi Rama nga shkarkimi i ministres apo kjo ishte një lëvizje që zonja Ibrahimaj të ikte nga detyra së bashku me lëvizjet e tjera që kryeministri mund të propozojë së afërmi.
Mbajtja e mbledhjes së Asamblesë me dyer të mbyllura flet jo pak pasi pritet të ketë debate shumë të ashpra dhe diskutime të forta të socialistëve me situatën që kalon kjo parti pas plasjes së skandalit të incineratorëve dhe hetimit nga SPAK të ish zv. kryeministrit Arben Ahmetaj.
Kryeministri reflektoi, apo i duhej pak kohë për të bërë ndryshime në grup?
Një ministër na konfirmoi se lajmi për shkarkimin e ministres ishte i vërtetë dhe ka qenë vetë qeveria që e ka lejuar qarkullimin e këtij lajmi për rreth 3 orë më pas për ta mohuar. Gazetari ynë i kërkoi stafit të ngushtë të kryeministrit për lajmin e shkarkimit të Ibrahimajt, por nuk mori një pergjigje.
Mjaftonte një njoftim i thjeshtë i qeverisë, një postim i thjeshtë i ministres në rrjetet sociale për ta mohuar shkarkimin e saj. Por për tre orë nuk reagoi as zyra e kryeministrit, as vetë ministrja por e konfirmuan nga burime të ndryshme, media të ndryshme shkarkimin e ministres.
Më pas gjithçka u mohua. Pra edhe këtu ka hije të forta se lajmi është lënë të qarkullojë, nuk ka qenë i kontrolluar por më pas ka pasur një tërheqje të vendimit të kryeministrit për të sjellë ndryshime në qeveri në bllok dhe jo vetëm me ministren pas incidentit që I ka ndodhur sot në mbledhjen e qeverisë.
Ndryshimi i ministrave në Shqipëri është lajmi më i parëndësishëm. Sepse qeveria është vetëm Rama. Ai të heq, të emëron, të qorton sipas humorit që ka gjatë mbrëmjeve. Cilido të vijë e të shkojë si ministër nuk ndryshon asgjë në qeverisjen e këtij vendi. Serioziteti i qeverisë është parë që në mëngjes, ndaj dhe lajmet e rreme për shkarkime ministrash nuk i bëjnë përshtypje as vetë kryeministrit..
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



