Shkarkohet drejtoresha e Postës në Durrës, kallëzohet për abuzime
Dyshime për vjedhje të rreth 3 milionë eurove
Një skandal financiar ka shpërthyer në filialin e Postës në Durrës, ku është shkarkuar nga detyra drejtoresha Elisabeta Mataj, ndërsa ndaj saj është bërë edhe kallëzim penal për ndjekje të mëtejshme nga organet e drejtësisë.
Kontrolli i ushtruar nga strukturat qendrore të Postës Shqiptare ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish serioze në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Pas verifikimeve fillestare, institucioni ka ndërmarrë masa të menjëhershme administrative ndaj personave përgjegjës dhe e ka referuar çështjen në prokurori, duke dorëzuar dokumentacionin përkatës.
Sipas burimeve pranë hetimit, dyshimet flasin për një abuzim që mund të arrijë deri në rreth 3 milionë euro. Mospërputhjet u evidentuan fillimisht gjatë rakordimit mujor të arkës, ku u konstatuan mungesa të konsiderueshme. Analiza e mëtejshme financiare zbuloi se diferencat ishin edhe më të larta se sa u raportua në fazën e parë.
Në vijim të zhvillimeve, mësohet se ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës, Valbona Hoti Duni, duke thelluar më tej dyshimet mbi menaxhimin e fondeve në këtë filial.
Në reagimin zyrtar, Posta Shqiptare konfirmon se kontrolli është zhvilluar në kuadër të mekanizmave të brendshëm të monitorimit financiar, pas evidentimit të mospërputhjeve në raportime. Institucioni thekson se parregullsitë lidhen ekskluzivisht me fondet e shërbimeve të pagesave dhe nuk prekin në asnjë mënyrë fondet e pensioneve apo pagesat ndaj pensionistëve.
Sipas njoftimit, rasti është referuar menjëherë në organet e prokurorisë dhe po vijon bashkëpunimi i plotë me institucionet ligjzbatuese për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Posta Shqiptare nënvizon se përgjegjësitë individuale do të përcaktohen nga drejtësia, ndërsa vetë institucioni mbetet i angazhuar në një politikë të fortë kundër çdo forme abuzimi dhe shpërdorimi të detyrës.
Ky zhvillim konsiderohet një test për funksionimin e kontrollit të brendshëm financiar në institucionet publike, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi përmasat reale të dëmit ekonomik dhe përgjegjësit konkretë.
Elisabeta Mataj ishte emëruar në krye të filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, duke zëvendësuar ish-drejtuesen Etleva Budini, e cila mori mandat deputeti pas zgjedhjeve të 11 majit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



