“Shkëmb” 30 kate në Unazën e Re: kompanitë dhe pikëpyetjet mbi financimin
Një tjetër projekt i përmasave të mëdha pritet të transformojë zonën e Unazës së Re, një hapësirë që prej vitesh është zhvilluar në mënyrë të fragmentuar dhe shpesh pa një vizion të qartë urbanistik. Bëhet fjalë për një kullë 30-katëshe, e konceptuar në formën e një “shkëmbi”, e cila do të ndërtohet në një nga parcelat e mbetura përgjatë këtij segmenti.
Sipas dokumenteve, leja e ndërtimit është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa projekti mban emrin “Great Ring Rock”. Edhe pse miratimi rezulton të jetë dhënë rreth një vit më parë, dokumentacioni është bërë publik vetëm së fundmi, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.
Objekti parashikohet të ketë 30 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, dhe do të ndërtohet në rrugën “Teodor Keko”. Zhvillimi do të realizohet nga kompanitë “Albus Invest” dhe “Loraldo”, të cilat figurojnë si subjekte zhvilluese të projektit.
Dokumentet përshkruajnë zonën si një nyje të rëndësishme lidhëse në kryeqytet, për shkak të afërsisë me Unazën e Madhe dhe lidhjes me rrugët kombëtare. Gjithashtu, theksohet pozicionimi pranë lumit Lana, që sipas planeve urbane synohet të rikualifikohet, duke e kthyer zonën në një hapësirë më të gjelbër dhe funksionale për qytetarët.
Megjithatë, realiteti aktual paraqitet i ndryshëm. Zona karakterizohet nga ndërtime të paunifikuara, që variojnë nga godina të ulëta 2-3 kate deri në komplekse më të larta, duke krijuar një pamje të çrregullt urbane. Aktualisht, trualli ku pritet të ndërtohet kulla përdoret kryesisht si parkim dhe nuk paraqet diferenca të theksuara në terren.


Sipas projektit, katet e poshtme do të shërbejnë për aktivitete komerciale, ndërsa pjesa më e madhe e ndërtesës do të jetë rezidenciale. Në nivelet e sipërme parashikohet edhe një hapësirë e dedikuar për banorët, e konceptuar si “clubhouse”. Arkitektura synon të krijojë një identitet të veçantë përmes një forme të ashpër, të ngjashme me shkëmbin, të ndërthurur me elementë gjelbërimi.
Por përtej përshkrimit estetik dhe funksional, ajo që ngre më shumë pikëpyetje lidhet me aspektin financiar dhe pronësor të projektit.
Në dhjetor të vitit 2025, një nga aksionerët kryesorë të “ALBUS INVEST”, Beqir Rraja, i cili zotëronte 50% të aksioneve, i ka shitur ato për vetëm 50 mijë lekë tek aksioneri tjetër, Armando Pajtonit.

Ky transaksion konsiderohet i pazakontë, duke pasur parasysh vlerën potenciale të projektit, që pritet të kapë shifra shumë milionëshe. Diferenca mes vlerës së deklaruar të aksioneve dhe investimit të pritshëm ngre dyshime mbi burimin real të kapitalit.
Hulumtimet e mëtejshme në Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se si “Albus Invest”, ashtu edhe “Loraldo”, kanë raportuar humbje financiare në vitet e fundit. Kjo shton edhe më shumë paqartësinë mbi kapacitetin real financiar për realizimin e një projekti të këtyre përmasave.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse pas këtyre subjekteve qëndrojnë investitorë të tjerë të padeklaruar. Rasti ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si jepen lejet e ndërtimit dhe mbi mekanizmat e kontrollit të burimit të kapitalit në projekte të mëdha ndërtimi.
Në fund, edhe pse projekti paraqitet si një investim që synon të modernizojë zonën, dilemat mbi transparencën, financimin dhe standardet e zhvillimit urban mbeten të hapura dhe kërkojnë përgjigje nga institucionet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



