Shpërthen bombola e gazit në Ballsh, plagoset 55-vjeçari
Një shpërthim i fortë është regjistruar pasditen e kësaj të marte në qytetin e Ballshit, ku një bombol gazi ka plasur brenda një banese në lagjen “5 Shkurti”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Muçaj. Si pasojë e shpërthimit është plagosur Fredi Muçaj, 55 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se 55-vjeçari ndodhej i vetëm në banesë në momentin e shpërthimit. Fatmirësisht, ai ka pësuar lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka shkaktuar panik te banorët e zonës, ndërsa menjëherë pas njoftimit kanë mbërritur në vendngjarje forcat zjarrfikëse të Ballshit. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për nxjerrjen e të plagosurit dhe sigurimin e zonës, me qëllim shmangien e rreziqeve të tjera.
Dyshimet e para janë se bombola e gazit mund të ketë pasur defekt në valvulat e sigurisë, duke shkaktuar rrjedhje gazi dhe më pas shpërthimin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



