Shpërthen Linda Rei: Olsa Muhameti, e gatshme të shkeli çdo njeri
Ja si më mashtruan në Big Brother VIP Kosova
Ish-konkurentja e Big Brother Vip Kosova, Linda Rei, ka rrëfyer se përvoja e saj në shtëpi nuk ka qenë aspak ajo që kishte imagjinuar.
Gjatë bisedës në podkastin e Grida Dumës, ajo tregoi se ishte ndier e zhgënjyer nga mënyra si ishte trajtuar nga produksioni, duke u ndalur veçanërisht te producentja e formatit, Olsa Muhameti. Sipas Lindës, dëshira e produksionit për të rritur me çdo kusht interesin e publikut kishte tejkaluar kufijtë e normales.
Ajo insistoi se Olsa ishte e gatshme të vinte prioritet show-n përpara çdo gjëje tjetër, madje edhe përpara mirëqenies së konkurrentëve. “Një producent mund të ketë ambicie, por jo në kurriz të shëndetit të njerëzve”, theksoi Linda.
Pjesa më e vështirë për të, thotë ajo, ka qenë menaxhimi i diabetit të tipit 1 brenda shtëpisë. Linda tregoi se kishte hyrë në program me premtimin se do t’i sigurohej pajisja e domosdoshme për matjen e nivelit të sheqerit, por sipas saj, premtimi nuk u mbajt kurrë.
Ajo tha se i kishte paralajmëruar të gjithë paraprakisht se pajisja duhej vendosur para hyrjes në shtëpi, por se iu kërkua të mos shqetësohej dhe të futej brenda, me pretendimin se çdo gjë ishte gati. “Kur hyra dhe pashë që pajisja nuk ishte askund, desha të dilja menjëherë. U ndjeva e mashtruar për ditë me radhë,” rrëfeu ajo.
Sipas Lindës, gjendja e saj shëndetësore u rëndua seriozisht, me nivele të sheqerit që i ngjiteshin në 400, duke e lënë pa fuqi dhe pa qartësi në të folur. Edhe në ato momente, pretendon ajo, produksioni kërkonte ta mbante brenda, me justifikimin se pajisja “po vinte”.
“Kjo më tregoi se qëllimi kryesor ishte të krijohej dramë, jo të më ndihmonin,” u shpreh ajo, duke shtuar se aparati ishte kërkesë e ditur prej tyre që një muaj para nisjes së programit.
Linda pranoi se largimi i parakohshëm e ka lënë një shije të hidhur. “Më vjen keq që nuk jam ende në lojë. Jo se jam penduar—sepse realisht nuk po mundesha më që të vazhdoja—por sepse isha e përgatitur për atë format dhe e shihja si një sfidë personale.”
Ajo falënderoi banorët e tjerë për respektin dhe mbështetjen që i kanë treguar, duke theksuar se marrëdhëniet brenda shtëpisë nuk kishin qenë problem. “Kurrë nuk kam pasur situata banale me askënd. Problemi im ka qenë vetëm me mënyrën si u menaxhua shëndeti im nga produksioni.”
Në fund, Linda përsëriti se reagimet e saj të para, që u bënë virale, nuk kishin qenë dramatizim, por pasojë e një situate të vërtetë shëndetësore të neglizhuar. Sipas saj, çdo gjë në atë format është e planifikuar deri në detaj, por në rastin e saj, ajo që duhej të ishte gati nuk ishte.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



