E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Shpërthen’ skandali 2.2 milionë euro ‘TIBO’, rrjeti çohet për gjykim
Lajme

‘Shpërthen’ skandali 2.2 milionë euro ‘TIBO’, rrjeti çohet për gjykim

Rrjeti në bankën e të akuzuarve për mashtrim milionash dhe pastrim parash

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një skemë të gjerë mashtrimi financiar, në qendër të së cilës qëndron rrjeti i kompanive të lidhura me “TIBO”. Pas një hetimi që ka zgjatur afro tre vite, organi i akuzës ka dërguar për gjykim biznesmenin Adnand Mahmuti dhe pesë persona të tjerë, të përfshirë si administratorë dhe pronarë subjektesh.

Sipas prokurorëve Ndini Tavani dhe Mirela Zavalani, Mahmuti, në cilësinë e pronarit dhe administratorit të kompanive “Magoware”, “Tibo”, “Tibo AL”, “Tibo Communication” dhe “Oversport”, të njohura për aktivitetin në fushën e transmetimeve televizive, sidomos sportive, ka ndërtuar në bashkëpunim një mekanizëm që dyshohet se përfshin mashtrim, evazion fiskal dhe pastrim parash.

Hetimi për këtë çështje ka nisur në vitin 2023, pas një kallëzimi të bërë nga shtetasja M.H., një biznesmene shqiptaro-gjermane. Sipas materialeve hetimore, ajo i ka dhënë Mahmutit një hua prej 2.2 milionë eurosh, shumë e përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme. Marrëveshja është formalizuar me kontratë dhe kishte si synim investimin në dy projekte: “Supercapital Italia” dhe “Oversport” sh.p.k., të lidhura me të drejtat e transmetimit të kampionatit italian Seria A dhe eventeve të tjera sportive.

Megjithatë, sipas përfundimeve të prokurorisë, kjo marrëdhënie është përdorur për qëllime mashtruese. Dyshohet se Mahmuti ka shfrytëzuar marrëdhënien e besimit me M.H., si dhe imazhin që krijonte fakti se drejtonte disa kompani të njohura, për të mos kthyer shumën e marrë dhe interesat e përcaktuara në kontratë.

Sipas hetimeve, kompanitë që sipas marrëveshjes duhet të realizonin investimet dhe të garantonin kthimin e shumës, kishin kapacitete financiare për ta bërë këtë, por nuk e kanë bërë. Përkundrazi, subjekte si “Tibo Communications” dhe “Tibo AL”, si dhe shoqëri të tjera të lidhura me to, rezultojnë të kenë pasur mundësi të konsiderueshme financiare.

Në këtë skemë përfshihen edhe disa administratorë dhe bashkëpunëtorë të Mahmutit. Konkretisht, përveç tij dhe ortakut në “Magoware”, Saimir Gora, në hetim rezultojnë të përfshirë edhe Blerina Kapaj, ish-administratore e “TIBO AL”, Mirela Guri dhe Blerina Kota, administratore të “Oversport”. Sipas prokurorisë, këta persona kanë bashkëpunuar në realizimin e mashtrimit, duke ndërmarrë veprime që kanë penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe duke qenë në dijeni të plotë për natyrën e veprimeve të tyre.

Nga hetimet ka dalë në pah edhe një skemë e organizuar e evazionit fiskal. Sipas organit të akuzës, gjashtë të pandehurit dhe pesë kompanitë kanë fshehur të ardhurat dhe kanë shmangur pagesën e detyrimeve tatimore. Një ekspertizë kontabël e vitit 2022 ka evidentuar se “TIBO” ka deklaruar rritje të pajustifikuara të detyrimeve, pa dokumentacion mbështetës, duke fshehur të ardhurat reale për të shmangur taksat. E njëjta mënyrë veprimi është konstatuar edhe te kompanitë e tjera të lidhura.

Gjithashtu, sipas prokurorisë, në këtë aktivitet përfshihet edhe pastrimi i produkteve të veprës penale. Janë evidentuar një sërë transferimesh të pajustifikuara ndërmjet kompanive të rrjetit. Ndër më të rëndësishmet përmendet një shumë prej rreth 4 milionë eurosh (383.158.664 lekësh), e kaluar nga “TIBO” drejt “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa u reflektuar në bilancet financiare si e drejtë arkëtimi. Këto lëvizje financiare, të kryera shpesh jashtë sistemit bankar dhe kryesisht në cash, dyshohet se janë përdorur për të fragmentuar gjurmët financiare dhe për të vështirësuar identifikimin e origjinës së fondeve që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.

Rrjeti i kompanive “TIBO” ka qenë më herët nën akuza edhe për pirateri televizive dhe, në dhjetor të vitit 2023, Autoriteti i Mediave Audiovizive i ka hequr licencën.

EMRAT DHE SHOQËRITË E DËRGUARA NË GJYQ

  1. Adnand Mahmuti, ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
  2. Blerina Kapaj, ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
  3. Blerina Kota, ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
  4. Mirela Guri, ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje e të ardhurave”;
  5. “MAGOËARE” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”’;
  6. “OVER SPORT” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
  7. “TIBO AL” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
  8. “TIBO Communications” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”; dhe
  9. “TIBO” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.