Shpërthim me tritol në një automjet në Krujë
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar gjatë orëve të natës në Krujë, ku shënjestër ka qenë një automjet tip “Fiat”. Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Pas shpërthimit, grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Nga këto pamje dyshohet se është identifikuar një person, i cili afrohet pranë automjetit, vendos lëndën plasëse dhe largohet më pas në këmbë.
Sipas burimeve hetimore, personi i dyshuar kishte veshur rroba të errëta, çka dyshohet se ka qenë një përpjekje për të shmangur identifikimin përmes kamerave të sigurisë.
Nga të dhënat paraprake rezulton se sasia e lëndës plasëse ka qenë e vogël dhe është vendosur në pjesën e përparme të automjetit, pranë kofanos. Për këtë arsye, hetuesit dyshojnë se shpërthimi mund të ketë pasur karakter paralajmërues ndaj pronarit të mjetit dhe jo qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha.
Automjeti rezulton të jetë në pronësi të Dervish Gunit, i cili gjatë deklarimeve të dhëna përpara hetuesve ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë. Ai është shprehur se nuk ka dijeni për arsyet e ngjarjes dhe as për autorët e mundshëm.
Megjithatë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rastit dhe nuk ka përjashtuar asnjë pistë, përfshirë edhe mundësinë që shpërthimi të ketë lidhje me një konflikt të mundshëm pronësie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



