E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëri dinjitoze përballë Anglisë, mposhtet në fund të sfidës
Lajme

Shqipëri dinjitoze përballë Anglisë, mposhtet në fund të sfidës

Shqipëria doli me nder nga sfida ndaj Anglisë, pavarësisht humbjes 0–2. Kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje të qëndrueshme përballë “Tre Luanëve”, duke krijuar raste dhe duke bërë rezistencë deri në minutat e fundit.

Golat e ndeshjes erdhën në pjesën e dytë. Në minutën e 74-t, Pas një goditjeje nga këndi, Aliji devijoi topin brenda zonës, duke u kthyer pa dashje në asist për Harry Kane, i cili e mposhti Strakoshën nga afër. Vetëm tetë minuta më pas, kapiteni i Anglisë shënoi sërish — kësaj here me kokë pas një harkimi të Rashford nga krahu i majtë.

Shqipëria nuk qëndroi pasive dhe krijoi disa raste të mira. Menjëherë sapo nisi pjesa e dytë, në minutën e 48-të, Arbër Hoxha gjeti hapësirë në qendër dhe goditi, por Henderson reagoi në kohë. Tre minuta më vonë, një aksion i shpejtë nga Bajrami solli topin te Hoxha në shtyllën e dytë, por tentativa e tij shkoi drejt në duart e portierit anglez. Rasti i tretë i mirë erdhi në minutën e 67-të, pas një depërtimi të bukur të Hoxhës, që shërbeu për Bajramin, por ky i fundit goditi shumë dobët.

45-minutëshi i parë u mbyll pa gola, me raste në të dyja portat. Anglia kërcënoi që herët: në minutën e 4-t, Rice provoi me një gjuajtje brenda zonës, por Strakosha u tregua i saktë. Shtatë minuta më pas, Kane furnizoi sërish Rice, por mbrojtja kuqezi reagoi siç duhet. Anglia pati edhe disa goditje standarde, por pa sukses, ndërsa Shqipëria humbi Hysajn në minutën e 25-t për shkak të një problemi muskulor, duke futur në lojë Balliun.

Në minutën e 36-të, Bowen vuri në provë Strakoshën me një goditje nga e djathta, ndërsa dy minuta më pas, Kuensah rrezikoi me një goditje me kokë pas një goditjeje këndi, por portieri kuqezi ishte sërish i vëmendshëm.

Me këtë fitore, Anglia vazhdon të kryesojë grupin me pikë të plota — 24 në 8 ndeshje — duke vendosur edhe një rekord mbrojtjeje, pasi nuk ka pësuar asnjë gol dhe ka realizuar 22. Shqipëria mban vendin e dytë me 14 pikë dhe mbetet në garë për objektivat e saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.