Shqipëria, anëtare e NATO-s pa avionë zjarrfikës
Vendi i vetëm në rajon pa flotë ajrore për emergjencat nga flakët
Në një vend si Shqipëria, ku zjarret kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë pyje dhe tokë në dekadën e fundit, mungesa e avionëve zjarrfikës nuk është më thjesht një dështim logjistik është një kërcënim real për sigurinë kombëtare dhe mjedisin.
Megjithëse kryeministri Edi Rama premtoi publikisht më 29 mars 2025, gjatë fushatës elektorale, se “flota ajrore do të ketë në dispozicion dy avionë zjarrfikës që nga kjo verë”, faktet e tanishme e rrëzojnë këtë deklaratë si një tjetër premtim të pambajtur.
Në një kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes nga platforma Faktoje, përgjigjja zyrtare ishte e qartë:
“Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë aktualisht nuk disponojnë avionë zjarrfikës.”
Ndërsa vendi përballet çdo verë me dhjetëra vatra aktive zjarri vetëm më 28 korrik u raportuan 34 të tilla, nga të cilat 17 ishin ende aktive Shqipëria mbështetet ekskluzivisht tek ndihma e vendeve të BE-së në kuadër të programit EU Solidarity për ndërhyrjen nga ajri.
Rajoni, Shqipëria e fundit në renditje
Një krahasim me vendet e tjera të Ballkanit e bën situatën edhe më të turpshme:
Burime nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë e kanë konfirmuar këtë realitet, duke e cilësuar vendin tonë si i vetmi në rajon që nuk zotëron asnjë mjet ajror të dedikuar për shuarjen e zjarreve.
Pasojat: Jo më thjesht retorikë
Nëse në të shkuarën mungesa e avionëve zjarrfikës është justifikuar me kosto ose prioritet buxhetor, sot, pas dekadash shkatërrimesh sezonale nga flakët, kjo mungesë është një dështim i politikave publike për mbrojtjen e territorit dhe jetës.
Kur një vend anëtar i NATO-s nuk është në gjendje të sigurojë as minimumin për përballimin e një emergjence të përsëritur çdo verë, retorika elektorale për investime në mbrojtje dhe infrastrukturë kthehet në cinizëm.
Kjo është Shqipëria e vitit 2025: pa avionë, pa përgjegjësi, pa mbrojtje. Dhe mbi të gjitha, pa shpresë për ndryshim nëse edhe zjarret trajtohen me propagandë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



