Shqipëria dhe Kosova shkruajnë historinë
Kualifikohen për herë të parë në Play Off-in e Botërorit
Futbolli shqiptar përjetoi natën më të madhe në historinë e tij. Për herë të parë, Shqipëria dhe Kosova kanë arritur njëkohësisht një sukses monumental: kualifikimin në Play Off-in e Kupës së Botës. Një arritje që e tejkalon sportin dhe hyn thellë në memorien kolektive të çdo shqiptari, kudo që jeton.
Në Tiranë dhe Prishtinë, emocionet shpërthyen njësoj. Shqipëria, pas një fushate të qëndrueshme dhe me një skuadër që kombinoi pjekurinë me energjinë e brezit të ri, arriti të sigurojë kualifikueset me një paraqitje të fortë, duke siguruar vendin e saj historik në fazën e Play Off-it.
Në tribuna, qindra mijëra tifozë ngritën flamujt kuqezi, me krenarinë që i përshkonte në çdo hap të natës, teksa nesër luan sfidën e fundit në grupin e saj, në shtëpi përballë Anglisë.
Ndërkohë, Kosova shkëlqeu po aq fuqishëm, pas triumfit të sotëm në Slloveni duke fituar pastër 0-2.
Me një skuadër në rritje të vazhdueshme dhe me një mentalitet të hekurt gara, dardanët siguruan për herë të parë biletën e tyre drejt Play Off-it. Ndeshja vendimtare u kthye në spektakël emocioni, ku futbollistët e Kosovës dhanë gjithçka për të arritur një moment që do të mbetet i paharrueshëm.
Prishtina u mbush plot me flamuj, brohorima dhe festa që zgjatën deri në orët e vona.
Ky dyfishe historik e pozicionon futbollin shqiptar në një nivel të ri ndërkombëtar. Dy kombëtaret, dy rrugë të ndryshme, por një emocion i përbashkët: ëndrra për të parë për herë të parë ngjyrat shqiptare në një Botëror është më e afërt se kurrë.
Tani, e gjithë vëmendja është te shorti i Play Off-it, ku Shqipëria dhe Kosova do të mësojnë kundërshtarët e tyre. Çfarëdo të sjellë e ardhmja, kjo natë tashmë është shkruar me germa të arta, një moment uniteti, krenarie dhe historie për mbarë kombin shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



