E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria konkurron Turqinë për pushime, por jo me cilësi
Lajme

Shqipëria konkurron Turqinë për pushime, por jo me cilësi

Bregdeti ‘digjet’ nga çmimet

Perceptimi i Shqipërisë si një destinacion i përballueshëm në Mesdhe po lëkundet ndjeshëm këtë verë, teksa sezoni turistik 2026 po nxjerr në pah një rritje të fortë çmimesh në pothuajse të gjitha shërbimet.

Akomodimi, ushqimi dhe shërbimet bazë, veçanërisht në jug të vendit, kanë arritur nivele që po detyrojnë pushuesit vendas të rishikojnë planet dhe buxhetet e tyre. Në zonat më të frekuentuara si Himara dhe Saranda, një dhomë dyshe në hotele me 3 apo 4 yje varion zakonisht nga 80 deri në 150 euro për natë gjatë kulmit të sezonit.

Ndërkohë, destinacione si Dhërmiu dhe Jala shënojnë çmime edhe më të larta, ku akomodimi nis nga 120 euro dhe mund të arrijë deri në 250 euro për natë. Resortet luksoze dhe vilat private kapin shifra deri në 400 euro për natë, duke e çuar koston javore për një familje në mbi 1,500 euro vetëm për qëndrimin.

Edhe tregu i apartamenteve nuk mbetet pas. Në Ksamil, një njësi për katër persona kushton nga 100 deri në 180 euro për natë, ndërsa për pamje nga deti çmimi tejkalon lehtësisht 200 euro.

Megjithatë, pesha më e madhe për pushuesit nuk lidhet vetëm me akomodimin. Shpenzimet shtesë janë ato që rëndojnë më shumë buxhetin. Në plazhet private, një set me dy shezlongë dhe një çadër kushton nga 15 deri në 30 euro në ditë, ndërsa në zonat elitare të Dhërmiut dhe Jalës arrin deri në 50 euro në ditë. Për një javë pushime, kjo përkthehet në deri 300 euro shtesë vetëm për qëndrimin në plazh.

Edhe ushqimi ka pësuar rritje të ndjeshme. Një vakt i zakonshëm për katër persona kushton nga 40 deri në 80 euro, ndërsa në restorantet buzë detit shkon mbi 100 euro. Duke shtuar pijet, ëmbëlsirat dhe transportin, shpenzimet ditore jashtë hotelit mund të arrijnë lehtësisht në 150 euro.

Nga ana tjetër, edhe paketat “all inclusive” në bregdetin e Durrësit dhe Shëngjinit, që variojnë nga 1,000 deri në 2,000 euro për një javë, po e humbasin konkurrueshmërinë për shkak të ofertës më të kufizuar krahasuar me tregun ndërkombëtar.

Sipas operatorëve turistikë, diferenca mes Shqipërisë dhe destinacioneve të huaja është ngushtuar ndjeshëm. Sot, paketa të organizuara në vende si Turqia, që përfshijnë fluturimin dhe shërbimin e plotë, shpesh rezultojnë me çmime të ngjashme ose edhe më të ulëta se pushimet në bregdetin shqiptar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.