E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria në alarm rrugor, trafik kaotik, aksidente dhe humbje jete
Lajme

Shqipëria në alarm rrugor, trafik kaotik, aksidente dhe humbje jete

Fundviti 2025 dhe ditët e para të vitit të ri u shoqëruan me një bilanc të rëndë në rrugët e Shqipërisë, mes aksidenteve fatale, trafikut paralizues dhe kushteve të vështira atmosferike, pavarësisht masave të shtuara të Policisë Rrugore.

Gjatë festave, autoritetet njoftuan rritje të kontrolleve dhe ndëshkimeve administrative ndaj drejtuesve të mjeteve. Megjithatë, realiteti në terren ishte ndryshe: akse të mbingarkuara, radhë kilometrike automjetesh dhe situata kaotike që u përsëritën nga veriu në jug të vendit.

Ditët e para të janarit u shënuan nga aksidente të rënda me pasoja tragjike. Një prej tyre ndodhi në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ku një përplasje e fortë mes dy automjeteve i mori jetën tre të rinjve. Në të njëjtën ngjarje mbeti e plagosur rëndë edhe një vajzë 19-vjeçare, e cila u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Rrethanat e aksidentit mbeten ende objekt hetimi, ndërsa ngjarja tronditi opinionin publik, veçanërisht për faktin se një nga viktimat ishte djali i një drejtuesi policie.

Vetëm një ditë më pas, një tjetër tragjedi u regjistrua në aksin Lezhë–Shkodër, ku një çift bashkëshortësh humbi jetën pas përplasjes së dy automjeteve. Në të njëjtin aksident mbetën të plagosur edhe një nënë me dy fëmijët e saj të mitur, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Situata u përkeqësua ndjeshëm edhe në Rrugën e Kombit, ku temperaturat e ulëta sollën ngrica dhe humbje kontrolli të mjeteve. Në segmentin Milot–Kalimash u regjistruan disa aksidente zinxhir, ku u përfshinë rreth 15 automjete, përfshirë një mikrobus dhe një autoambulancë. Gjashtë persona mbetën të lënduar, por pa rrezik për jetën.

Aksidente të shumta u shënuan edhe në qytete të tjera si Vlora, Elbasani dhe Lushnja. Në disa raste, drejtues mjetesh në gjendje të dehur shkaktuan përplasje me pasoja për pasagjerët dhe këmbësorët. Një 90-vjeçar u godit nga një automjet në Vlorë dhe ndodhet në gjendje kritike shëndetësore.

Ndërkohë, Tirana u përfshi nga një aksident fatal, ku një këmbësor humbi jetën pasi u përplas nga një autobus i linjës urbane. Drejtuesi i mjetit u arrestua, ndërsa ngjarja riktheu në vëmendje sigurinë rrugore në zonat periferike të kryeqytetit.

Përveç aksidenteve, qytetarët u përballën edhe me trafik të rënduar dhe bllokime të gjata. Aksi Prrenjas–Elbasan u kthye për orë të tëra në një parkim gjigant, ku mijëra persona mbetën të izoluar në automjete, në temperatura nën zero. Radhë të gjata u regjistruan edhe në Milot–Lezhë, për shkak të fluksit të lartë të mjeteve në kthim nga pushimet.

Ngjarjet e ditëve të para të vitit të ri nxorën në pah kontrastin mes statistikave zyrtare dhe realitetit në rrugë, duke rihapur debatin mbi efektivitetin e masave parandaluese, infrastrukturën rrugore dhe përgjegjësinë institucionale për sigurinë e qytetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.