Shqipëria nis “luftën” kundër mishit me hormone
Një projektligj i ri që synon rritjen e sigurisë ushqimore pritet të ashpërsojë ndjeshëm rregullat për përdorimin e substancave hormonale në blegtori. Drafti “Për produktet mjekësore veterinare” parashikon ndalimin e përdorimit të paligjshëm të hormoneve, substancave tireostatike dhe beta-agonistëve tek kafshët që përdoren për prodhimin e ushqimit.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është mbrojtja e konsumatorit nga rreziku që mbetjet e këtyre substancave të depërtojnë në zinxhirin ushqimor, përmes mishit, qumështit, vezëve apo produkteve të tjera me origjinë shtazore.
Projektligji i jep autoriteteve veterinare kompetenca të zgjeruara për kontrolle të befasishme në ferma, stabilimente, magazina dhe subjekte tregtare që operojnë me produkte veterinare. Inspektimet do të shoqërohen me analiza laboratorike, përmes marrjes së mostrave nga indet dhe lëngjet trupore të kafshëve, si dhe nga uji, për të identifikuar praninë e substancave të ndaluara.
Një tjetër detyrim i ri lidhet me transparencën në treg: prodhuesit dhe tregtarët do të jenë të detyruar të mbajnë regjistra të detajuar kronologjikë për çdo sasi të prodhuar, blerë apo shitur, si dhe për personat që i kanë përfituar këto produkte.
Drafti prek edhe importet, duke i hapur rrugë ndalimit të hyrjes në Shqipëri të kafshëve dhe produkteve shtazore nga vende që lejojnë përdorimin e substancave të ndaluara si stilbenet apo tireostatikët. Kufizimi do të zbatohet edhe për mishin që vjen nga kafshë të trajtuara në kundërshtim me standardet e reja.
Megjithatë, përdorimi i disa preparateve nuk përjashtohet plotësisht. Trajtimet për qëllime terapeutike ose zooteknike do të lejohen vetëm nën mbikëqyrjen e veterinerit dhe për kafshë të identifikuara, me regjistrim të detyrueshëm të çdo ndërhyrjeje mjekësore.
Në këto raste, kafshët mund të dalin në treg vetëm pasi të ketë përfunduar periudha e detyrueshme e pritjes, duke garantuar që produktet ushqimore të mos përmbajnë mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Ndërkohë, produktet hormonale që nuk mund të monitorohen përmes analizave laboratorike ose që qëndrojnë për periudha të gjata në organizmin e kafshës nuk do të autorizohen për përdorim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



