E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria përballet me një tkurrje të ndjeshme të popullsisë: Rezultatet alarmuese të Censit 2023
Lajme

Shqipëria përballet me një tkurrje të ndjeshme të popullsisë: Rezultatet alarmuese të Censit 2023

Nuk ka më dilema apo shtyrje për publikimin e të dhënave. Shqipëria numëron aktualisht 2.402.113 banorë, sipas Censit të vitit 2023 të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Në krahasim me Censin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, ku popullsia ishte 2.831.741 banorë, vendi ka humbur rreth 420 mijë shqiptarë. Ndërkohë, në vitin 2001, popullsia ishte 3.069.275 banorë, duke treguar një trend të vazhdueshëm të rënies së popullsisë. Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, njoftoi se më 18 shtator 2023, në territorin shqiptar janë regjistruar 2.402.113 banorë, të cilët përbëjnë 755.950 familje me një mesatare prej 3.2 anëtarësh për familje. Ata jetojnë në 1.082.529 banesa të zakonshme, nga të cilat 11% rezultojnë bosh. Megjithatë, numri i banesave është rritur me 70 mijë banesa që nga viti 2011.

 Tendenca e plakjes së popullsisë dhe përqendrimi në Tiranë

Rezultatet e Censit 2023 konfirmojnë trendin e plakjes së popullsisë, me rreth 667 mijë qytetarë që i përkasin moshës mbi 60 vjeç dhe një moshë mesatare prej 42,5 vjeç, 7 vjet më e lartë se një dekadë më parë. Sa i përket përqendrimit të popullsisë, 32% e shqiptarëve jetojnë në qytetin e Tiranës. Fieri dhe Elbasani janë qarqet e tjera me përqindjen më të lartë të popullsisë, ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët. Ndërkohë që popullsia në të gjitha qarqet, përveç Tiranës, ka ardhur në rënie, Tirana ka përjetuar një rritje prej 1.2%, kryesisht për shkak të migracionit të brendshëm.

Arsimi dhe besimi fetar

Të dhënat e censit tregojnë se 96,8% e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën. Përqindja e popullsisë së arsimuar është rritur ndjeshëm që nga Censi i vitit 2011, me një rritje të veçantë të femrave që kanë përfunduar arsimin e lartë. Për sa i përket besimit fetar, shumica e shqiptarëve janë myslimanë (1.101 banorë), të ndjekur nga katolikët (mbi 200 mijë) dhe ortodoksët (mbi 173 mijë). Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka deklaruar se janë ateistë ose nuk kanë dhënë përgjigje mbi besimin fetar.

 Ndryshimet demografike dhe sfidat e ardhshme

Rezultatet e Censit 2023 sjellin në vëmendje nevojën për politika të reja dhe strategji për të adresuar sfidat e plakjes së popullsisë dhe tkurrjes demografike. Me rënien e numrit të banorëve dhe rritjen e moshës mesatare, Shqipëria përballet me sfida të mëdha në ruajtjen e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale. Politikat për të përmirësuar kushtet e jetesës, promovimin e lindshmërisë dhe ndalimin e emigrimit masiv janë më të nevojshme se kurrë për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme për vendin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.