E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria riatdheson nga Siria pesë shtetas, gra dhe fëmijë
Lajme

Shqipëria riatdheson nga Siria pesë shtetas, gra dhe fëmijë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar për përfundimin e operacionit të riatdhesimit vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, gra dhe fëmijë.

Sipas Ministrisë së Jashtme, operacioni është rezultat i një procesi të gjatë koordinimi mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira në këtë procedurë.

Kthimi i pesë shtetasve në Shqipëri është realizuar në kushte të sigurta, ndërsa autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se përgjegjësia institucionale nuk përfundon me mbërritjen e tyre në atdhe.

Pas riatdhesimit, shtetasve të kthyer do t’u ofrohet asistenca e nevojshme, ndërsa do t’i nënshtrohen edhe vlerësimeve shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të ndjekin më tej procesin e akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shqiptare dhe autoriteteve të huaja, me një falënderim të veçantë për autoritetet siriane, të cilat kontribuuan në përfundimin e procedurave dhe sigurimin e tranzitit të shtetasve shqiptarë.

Sipas institucionit, përfundimi i këtij operacioni tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në rastet që lidhen me kthimin e shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti.

Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë monitorimin e procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit të pesë personave të riatdhesuar. Paralelisht, institucionet shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, në rastet kur krijohen kushtet e nevojshme për një riatdhesim të sigurt.

Autoritetet shqiptare e konsiderojnë riatdhesimin pjesë të përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij, veçanërisht në situata të ndërlikuara dhe në zona të prekura nga konfliktet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.