Shqipëria s’ka një shqisë intelektuale që e mbron nga abuzimi i politikanëve me pushtetin.
Sa pedagogë, studiues, akademikë të politikës, urbanistikës, të drejtave të njeriut, demokracisë, ligjit dhe kushtetutave, arsimit dhe mjekësisë, mjedisit dhe financave, ka Shqipëria?
Sa prej tyre ngrenë zërin, flasin, shkruajnë dhe ndërgjegjësojnë qytetarët për çështje të interesit publik?
Sa urbanistë folën për planin urbanistik të Tiranës, për shndërrimin e Tiranës në një qytet të pabanueshëm?
Sa juristë, avokatë apo edhe gjykatës u shprehën për të ashtuquajturën “paketë të antishpifjes” që u rrëzua në Komisionin e Venecias?
Sa pedagogë të financave dhe ekonomisë paralajmëruan shqiptarët për rreziqet që vijnë nga rritja e borxhit mbi 80%, apo abuzimi me paratë e taksave si në rastin e shifrës astronomike të projektit Milot-Fier?
Po për krizën shëndetësore, si po e ndihmojnë publikun studiuesit e fushës së mjekësisë (me përjashtim të disapak prej tyre) që të kuptojë nëse qeveria është duke e menaxhuar mirë apo keq?
Debati publik në Shqipëri nuk zhvillohet nga njerëzit e dijes, por nga propagandistët partiakë, nga mercenarët e oligarkisë dhe nga shërbëtorët e axhendave degraduese për shoqërinë shqiptare.
Kemi pra një ushtri akademikësh që është mbyllur në xhepin e saj për të ruajtur apo kërkuar rrogën dhe përfitimin e atypëratyshëm.
Këta nuk e çelin gojën pa ua peshuar me para fjalën, ose e qepin sepse heshtja paguhet.
Por kemi shumë pak intelektualë publikë, njerëz që i vënë dijet dhe autoritetin e tyre në shërbim të lirive dhe edukimit të njerëzve. Misioni i tyre duhet të jetë trazimi i status quo-së.
Fuqia e tyre buron nga autoriteti që ata kanë fituar sepse kanë thënë përherë të vërtetën, edhe kur kjo është e vështirë dhe me çmim.
Shqipëria s’ka një shqisë intelektuale që e mbron nga abuzimi i politikanëve me pushtetin.
Akademia jonë e shkencave nuk ofron asnjë lidership apo orientim për të ardhmen e vendit.
Këtu të gjitha pushtete u janë dhënë politikanëve, SOVJETËVE të këtij vendi dhe kësaj epoke.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



