Në vend të pushimeve, në garë për një vend pune
Ndërsa pjesa më e madhe e profesionistëve planifikon pushimet verore, për mësuesit e rinj dhe ata që shpresojnë të hyjnë në sistemin arsimor, kjo është koha e garës më të madhe të vitit: përfshirja në listën e punësimit si mësues për vitin e ri shkollor.
Portali “Mësues për Shqipërinë” është kthyer në një hallkë kyçe të mekanizmit për përzgjedhjen e mësuesve të rinj që prej afro një dekade. Sistemi funksionon përmes grumbullimit të pikëve nga dosja personale dhe testimi, që në fund përcaktojnë renditjen e kandidatëve në listën përfundimtare të punësimit.
Gara zyrtarisht nis më 2 qershor dhe mbyllet më 2 shtator – një periudhë me stres dhe ankth për mijëra aplikantë, ndërsa emërimet konkrete në shkolla nisin më 8 shtator.
Si funksionon procesi – Tri faza për të hyrë në sistemin arsimor
Procesi për punësimin e mësuesve ndahet në tri faza:
1. Vlerësimi i dosjes
Aplikimi bëhet online përmes portalit qeveritar e-Albania, në shërbimin “Aplikim për konkurrim për punësim si mësues”.
- Kandidatët e licencuar mund të aplikojnë nga 2 deri më 16 qershor 2025.
- Ata që kanë dhënë provimin e licencës në maj, apo janë në proces licencimi, mund të aplikojnë nga 13 deri më 23 qershor 2025.
Secili aplikant zgjedh Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) sipas vendbanimit të përhershëm dhe deri në tre Zyra Vendore (ZVAP) ku dëshiron të konkurrojë.
Dosjet vlerësohen nga Komisionet e Vlerësimit nga 8 deri më 27 qershor 2025, mbi bazën e një skeme pikëzimi që përfshin: mesataren e diplomës, kualifikimet, përvojën në arsim, certifikatat e trajnimeve dhe gjuhët e huaja.
2. Testimi i informatizuar
Faza e dytë zhvillohet më 25 gusht 2025, përmes një testimi të informatizuar të organizuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).
Kandidatët mund të zgjedhin të ruajnë pikët nga testimet e mëparshme ose të ritestohen. Rezultatet janë të ankimueshme brenda 3 ditëve pune pas publikimit, dhe nëse pranohen, ndryshimet reflektohen brenda 5 ditëve pune.
3. Lista përfundimtare
Më së fundi, deri më 2 shtator 2025 publikohet lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve sipas pikëve të fituara nga dosja dhe testi. Kjo listë përdoret si referencë për emërimet e reja në sistemin arsimor për vitin 2025-2026.
Dokumentet që kërkohen për aplikim
Për të konkurruar, aplikantët duhet të përgatisin dhe ngarkojnë këto dokumente:
- Kopje e diplomës dhe listës së notave;
- Librezë pune e plotësuar (nëse ka dhe dëshiron të marrë pikë për përvojë);
- Dëshmi të kualifikimeve si: “Mësues i kualifikuar”, “Specialist” apo “Mjeshtër”;
- Certifikata trajnimesh me kredite brenda ose jashtë vendit;
- Certifikata të gjuhëve të huaja (p.sh. TOEFL, IELTS, etj).
Raste të veçanta: Çfarë ndodh nëse ke më shumë se një licencë?
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, kandidati që zotëron më shumë se një licencë ka të drejtë të aplikojë për secilin profil në mënyrë të veçantë.
Gjithashtu, nëse një kandidat ka dhënë më parë provimin e licencës dhe ka rezultat pozitiv në testim, ai mund të zgjedhë mes ruajtjes së pikëve ose ritestimit.
Kandidatët për arsimin parashkollor dhe ata që nuk kanë detyrim ligjor për licencë mund të zgjedhin opsionin “Dëshiroj të vazhdoj pa licencë”.
Për pozitat e mësuesit ndihmës apo mësuesit në dispozicion, kërkohet përzgjedhja e opsioneve përkatëse gjatë aplikimit.
Ky proces mund të duket teknik dhe burokratik, por për mijëra të rinj e profesionistë të arsimit është një mundësi reale për t’u përfshirë në sistemin publik arsimor. Rregullat janë të qarta vendet janë të pakta por transparenca dhe përgatitja bëjnë diferencën.