Si i besoi qeveria rrjetin qeveritar “trurit” të DURANA-s
Tenderë milionash, procedura pa garë
AKSHI i jep Armand Sharës 3.7 milionë euro me negocim
I ashtuquajturi park industrial DURANA rezulton të ketë qenë një projekt i ndërtuar mbi skema të mirëorganizuara institucionale, ku përmes manovrave të dyshimta administrative u krijuan kushte që dhjetëra subjekte private të regjistroheshin në zonën e Xhafzotajt, duke përfituar lehtësi fiskale, shmangie nga detyrimet doganore dhe një regjim të favorshëm tatimor.
Firmat që u vendosën në këtë park rezultojnë të jenë të njëjtat subjekte që përmenden në hetimet penale ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku disa persona janë nën masa sigurie dhe të tjerë rezultojnë në kërkim. Paralelisht, një pjesë e biznesmenëve që janë objekt hetimi për marrëveshje të dyshimta apo për ndikim në treg, vijojnë të përfitojnë kontrata publike nga të njëjtat institucione shtetërore.
Në qendër të kësaj skeme shfaqet emri i Armand Sharës, i cili del herë si subjekt në dosjen e AKSHI-t, në lidhje me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin, herë si një nga themeluesit e parkut DURANA, ndërsa aktualisht rezulton përfitues i fondeve të tjera publike, sërish nga AKSHI.
Pak ditë më parë u publikua një procedurë tenderimi që ngriti dyshime serioze, pasi AKSHI akordoi një kontratë me vlerë mbi 2 milionë euro, pavarësisht hetimeve të hapura nga Prokuroria e Posaçme. Ndërkohë, i njëjti institucion ka vijuar të shpërblejë Armand Sharan me një tjetër kontratë, kësaj radhe me vlerë rreth 3.7 milionë euro.
Sipas dokumentacionit zyrtar të procedurës, AKSHI ka shpallur fituese kompaninë Infosoft Systems shpk, përmes një procedure me negocim, me objekt “mirëmbajtjen e infrastrukturës së rrjetit qeveritar (GovNet)”, për një periudhë 24-mujore nga nënshkrimi i kontratës. Oferta fituese kap vlerën 366 milionë lekë me TVSH, ose mbi 3.7 milionë euro.
Kompania e vetme tjetër pjesëmarrëse në procedurë u skualifikua për mosplotësim të kritereve teknike dhe të sigurisë, pasi prokurimi klasifikohet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Sipas arsyetimit zyrtar, subjekti nuk dispononte certifikatat e nevojshme dhe nuk përmbushte kriteret e përcaktuara në dokumentacion.
Në thelb, pas gjithë zhvillimeve të dosjes së AKSHI-t dhe ekspozimit të parkut DURANA, qeveria i ka besuar Armand Sharës mirëmbajtjen e rrjetit qeveritar, një sistem që administron të dhëna sensitive dhe përmban informacionin e ministrive dhe institucioneve kyçe të shtetit. Përtej vlerës financiare, ky tender përfaqëson një marrëdhënie besimi mes qeverisë dhe një individi që përmendet në disa hetime penale dhe konsiderohet si një figurë qendrore në skemat e dyshuara të përfitimit të fondeve publike.

Ndërkohë, disa ditë më parë u shpall edhe një tjetër procedurë e fituar nga i njëjti subjekt, këtë herë për mirëmbajtjen e sistemit e-Receta për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me fonde nga Buxheti i Shtetit. Edhe kjo procedurë u zhvillua praktikisht pa garë reale, pasi operatori tjetër ekonomik i regjistruar nuk paraqiti ofertë ekonomike dhe as dokumentacion në sistemin e prokurimit, duke ngritur dyshime serioze mbi paracaktimin e fituesit dhe frikën apo tërheqjen e qëllimshme të konkurrentëve.
Në muajin qershor 2025, familja Shara ka themeluar gjithashtu kompaninë iNext, e regjistruar në parkun DURANA në Xhafzotaj. Kjo kompani ka si ortak firmën TAG Engineering shpk dhe një individ privat, ndërsa TAG Engineering është në pronësi të familjes Shara dhe administrohet nga Edlira Shara. Burime të ndryshme konfirmojnë se pas kësaj strukture qëndron vetë Armand Shara, i cili konsiderohet një nga figurat kyçe në ndërtimin dhe funksionimin e parkut DURANA.
Emri i tij shfaqet në disa procedime penale të Prokurorisë së Posaçme, përfshirë hetimet ndaj AKSHI-t, ku kompani të lidhura me të kanë pasur rol aktiv në procedura të dyshimta. Në një rast të veçantë, rrethana kriminale e përfshirë në dosje i ka hapur rrugë shpalljes së tij si fitues i vetëm i një procedure publike.
Faktet tregojnë se, edhe pas goditjes së strukturave drejtuese të AKSHI-t dhe zbardhjes së mekanizmit të parkut DURANA, Armand Shara vijon të fitojë me lehtësi tendera me vlera miliona euro, përmes procedurave pa konkurrencë reale dhe me rezultate të paracaktuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



