E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si i mori Ergys Agasi të dhënat në telefonat e “zbërthyer” nga policia
Lajme

Si i mori Ergys Agasi të dhënat në telefonat e “zbërthyer” nga policia

Detaje të reja dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me hetimin ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i cili u arrestua pak javë më parë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat dhe materialeve të përfshira në dosjen hetimore, në fokus të hetimit janë edhe disa të dhëna të siguruara nga telefonat e zbërthyer dhe analizuar nga Policia Shkencore.

Në dosje dyshohet se Agasit i janë vënë në dispozicion akte ekspertimi që lidhen me këto pajisje telefonike. Materialet, sipas hetimit, përmbanin të dhëna të nxjerra pas zbërthimit dhe analizimit të telefonave në laborator.

SPAK dyshon se këto akte i janë dorëzuar Ergys Agasit nga Fatjon Kalluci, i cili mbante detyrën e përgjegjësit të sektorit në Institutin e Policisë Shkencore.

Prokuroria po heton mënyrën se si dokumentet kanë dalë nga strukturat përkatëse, si janë siguruar nga Agasi dhe cilët persona kanë pasur rol në kalimin e tyre.

Fatjon Kalluci dhe Embro Sulejmani, pjesë e të njëjtit hetim

Fatjon Kalluci, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, është arrestuar në kuadër të hetimeve dhe dyshohet për nxjerrje të dokumenteve sekrete.

Në pranga ka përfunduar edhe Embro Sulejmani, ndaj të cilit rëndon dyshimi për përkrahje të autorit të krimit. Sipas dyshimeve të Prokurorisë, ai dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në disa prej ambienteve ku Ergys Agasi ka qëndruar ose ka lëvizur gjatë periudhës së arratisë.

Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjen e informacioneve dhe dokumenteve që dyshohet se kanë dalë nga strukturat shtetërore, si dhe lidhjet mes personave të përfshirë në këtë proces.

Arrest shtëpie për ish-drejtoreshën e SHISH

Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e arrestit në shtëpi.

Sipas SPAK, Hyseni dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ndodhej në arrati, duke i përcjellë informacione të klasifikuara.

Prokuroria e Posaçme e ka marrë atë nën hetim për dyshime lidhur me veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe zbulimit të akteve sekrete.

Dyshimet ndaj Hysenit lidhen edhe me hetimin për aferën në AKSHI, ku, sipas prokurorëve, Ergys Agasi dyshohet se kishte krijuar një grup kriminal që vepronte brenda institucionit.

Në materialet e hetimit janë evidentuar edhe komunikime mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në arrati. SPAK po verifikon përmbajtjen e këtyre komunikimeve dhe nëse informacionet e përcjella prej saj kanë ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai i fshihej autoriteteve.

Hetimi vijon për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të secilit prej personave të përfshirë dhe mënyrën se si informacionet konfidenciale dyshohet se kanë kaluar nga strukturat shtetërore te Ergys Agasi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.