Si përfundojnë vajzat e Amerikës Latine në rrjetin e prostitucionit në Shqipëri
Trafikimi nga Amerika Latine drejt Europës nuk kufizohet më vetëm te lëndët narkotike. Në Kolumbi, autoritetet po hetojnë një tjetër formë kriminaliteti të organizuar: trafikimin e dhjetëra vajzave dhe grave nga qytete si Medellín dhe Bogota drejt Shqipërisë, për t’u shfrytëzuar në industrinë e prostitucionit.
Në vend të akuzave për drogë, policia kolumbiane po përballet me dosje që flasin për shfrytëzim seksual ndërkombëtar. Qindra vajza të reja, shumica prej tyre me pëlqim fillestar, u futën në një rrjet që më pas rezultoi të ishte një mekanizëm i mirëorganizuar skllavërimi modern.
Në qendër të hetimeve ndodhet Lukas Betancur dhe babai i tij, të identifikuar si drejtues të një prej grupeve kriminale që vepronte në linjën Kolumbi–Shqipëri–Ballkan–Europë. Përmes mashtrimit, borxheve të rreme dhe premtimeve për fitime të mëdha, vajzat përfundonin në një cikël shfrytëzimi nga i cili ishte pothuajse e pamundur të dilje.
Hetimet tregojnë se afro 1 milion euro janë transferuar nga viktimat që ushtruan prostitucion në Shqipëri, të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit dhe më pas të qarkulluara drejt Serbisë, Kroacisë dhe Spanjës.
Për Shqipërinë, ky fenomen është shndërruar në një alarm serioz, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit. Rrjeti Betancur nuk është i vetmi. Dosjet e policisë shqiptare përfshijnë vajza nga Venezuela, Ekuadori, Brazili, Ukraina, Kina, Afganistani, Turqia dhe Rumania, me dëshmi që përshkruajnë skema të njëjta shfrytëzimi.
Metoda është e njohur: joshje për një jetë më të mirë, punë fiktive ose kapje përmes borxheve të pakthyeshme. Vajza të moshave 19 deri në 40 vjeç përfundojnë duke ushtruar prostitucion, herë të maskuara si masazhatore, herë të reklamuara hapur në faqe eskortash, pa identitet real dhe pa mbrojtje ligjore.
Një nga dëshmitë vjen nga Valentina, 23 vjeçe nga Kolumbia, e cila tregon se u bind të udhëtonte drejt Shqipërisë nga një mikeshë e besuar, pa e ditur se çfarë e priste. Ajo rrëfen se nuk ishte në dijeni se prostitucioni ishte i paligjshëm në Shqipëri dhe se të ardhurat e premtuara nuk i pa kurrë.
“Erdha me shpresën për të ndihmuar familjen time dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Në fund, mbeta pa para, pa liri dhe me probleme me ligjin, ndërsa ata që na shfrytëzuan janë pas hekurave”, rrëfen ajo.
Historia e saj është e njëjtë me atë të dhjetëra vajzave të arrestuara gjatë të paktën 75 operacioneve policore të zhvilluara brenda një viti në Shqipëri. Shumë prej tyre e dinë që do të punojnë si punonjëse seksi, por nuk e imagjinojnë kurrë përmasën e shfrytëzimit që i pret.
“Quhem Valentina, erdha këtu me një mikeshë që është personi që më sugjeroi të udhëtoja në Shqipëri. Në Kolumbi, ajo ishte praktikisht një mikeshë e shtëpisë sime, ndaj dhe vendosa të vij me të. Nuk e dija që do vija për këtë punë dhe që dënohej ligjërisht. Na priste një kontakt i saj; nuk isha e informuar që prostitucioni është i ndaluar dhe ndaj pranova t’ma prejnë biletën. Kisha nevojë për para dhe, mbi të gjitha, kisha besim tek mikeshja ime.
Trafikanti, kur mbërritëm këtu, na paralajmëroi se me punën që do bënim mund të kishim probleme me ligjin, se duhet të bënim kujdes, dhe madje ai e kërcënoi mikeshën time kur na gjeti apartamentin. Na gënjyen të dyjave. Kemi ardhur në një vend për të cilin nuk njihnim asgjë. Ditën kur na erdhi policia në apartament ishte një shok për mua.
Në Kolumbi, prostitucioni është i lejuar, ndaj kur erdha në Shqipëri nuk e dija që policia do të trokiste në derë. Puna ime e vërtetë në Kolumbi ishte estetika, por kam një fëmijë për të rritur dhe katër anëtarë të tjerë të familjes që jetonin vetëm me rrogën time. Minimumi jetik në Kolumbi nuk mjafton për asgjë.
Trafikantët më bindën se këtu bëhen para dhe ndaj erdha; kisha synimin që kur të kthehesha në Medellín të kisha qendrën time estetike. Unë qëndrova katër muaj në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe unë nuk munda të paguaja as qeranë e familjes time atje, sepse paratë nuk i shihja as kur paguheshin, as kur i merrnin. Unë në të gjithë këtë histori jam një viktimë, sepse në Shqipëri prostitucioni qenka krim; tani ne kemi probleme me drejtësinë dhe shefi është në burg”.
Historia e 23-vjeçares është e njëjtë me atë të vajzave të tjera të arrestuara në së paku 75 operacione brenda një viti në Shqipëri.
Shumë prej tyre, në çastin që marrin avionin në vendlindje, e dinë se në këmbim të parave do të punojnë si punonjëse seksi.
Prezantohen si ekspertë, që paguhen me orë ose ditë. Pa emrin real dhe me një identitet të rremë, vajzat pa emër serviren përmes platformave dixhitale në vitrinat virtuale./Exclusive
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



