E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si po përplasën ortakët për aeroportin e Vlorës
Flash

Si po përplasën ortakët për aeroportin e Vlorës

Pacollët nisin betejën ligjore

Hetimet e prokurorisë së Tiranës për përplasjen mes aksionerëve të “Vlora International Airport – VIA” kanë marrë një zhvillim të papritur dje, me depozitimin e një kallëzimi të ri penal nga Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit kosovar, Behgjet Pacolli, i cili zotëron 98% të aksioneve të aeroportit.

Kallëzimi vjen menjëherë pas marrjes në pyetje të Emin Pacollit nga autoritetet, ndërsa edhe Behgjet Pacolli është thirrur për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen. Burime nga hetimi tregojnë se vëllezërit Pacolli kanë qenë nën presion për rreth dy muaj, por tashmë kanë kaluar në kundërsulm kundër personave që sipas tyre kanë kryer veprime të paligjshme dhe arbitrare.

Gazetari Elton Qyno raporton se në kallëzim, Emin Pacolli akuzon tre persona: aksionerin në minorancë, Valdon Ademi (me 2% të aksioneve), noteren Valbona Selimi dhe ish-administratori i kompanisë, Valon Lluka. Sipas kallëzimit, këta persona dyshohet se kanë kryer veprime mashtruese dhe falsifikim dokumentesh për të marrë 47% të aksioneve të kompanisë.

Në shtator 2025, Valon Lluka u shkarkua nga detyra e administratorit, dhe në vend të tij u emërua Mentor Hajdaraj, pas akuzave për veprime të fshehta pa miratimin e aksionerëve kryesorë. Pacollët pretendojnë se nuk kanë qenë kurrë prezentë tek noteria Selimi, e cila dyshohet se ka falsifikuar një akt noterial për përfitimin e minoritarit Ademi dhe të tjerëve.

Kallëzimi i Emin Pacollit do të bashkohet me dosjen hetimore që nisi në shtator 2025, pas kallëzimit të mëparshëm nga Valdon Ademi. Sipas burimeve, prokuroria po planifikon ekspertimin grafik të dokumenteve dhe firmave për të verifikuar autenticitetin e kontratës së shitjes së 47% të aksioneve tek kompania “2A Group”.

Vëllezërit Pacolli, përmes kompanisë “Mabco Constructions SA”, kërkojnë fillimin e ndjekjes penale për të gjithë personat e përfshirë, duke akuzuar për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Ndërkohë, edhe Valdon Ademi ka bërë kallëzim për të njëjtën çështje, por me pretendime të ndryshme.

Në ditët në vijim pritet të dëshmojë edhe Behgjet Pacolli, ndërsa prokuroria po shtrihet në verifikimin e dokumentacionit, marrjen në pyetje të zyrtarëve bankarë (përfshirë një kredi 56 milionë euro), kontraktorëve të aeroportit dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Paralelisht, gjykata administrative e Tiranës ka pezulluar çdo vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve, caktuar më 20 tetor 2025, duke pezulluar edhe të drejtën e votës së shoqërisë “Mabco Constructions SA” deri në verifikimin e kontratës së shitjes së kuotave të kapitalit të VIA sh.p.k.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.